Kosovë, marsh për drejtësi në prag të fillimit të gjykimit të ish-krerëve të UÇK në Hagë
Mijëra qytetarë mbushën sheshet e kryeqytetit kosovar, Prishtinës, për të kërkuar drejtësi, në prag të fillimit të gjykimit në Gjykatën Speciale me seli në Hagë të krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Me motot “Marshojmë për drejtësi”, “Historia nuk mund të rishkruhet”, “Drejtësi për çlirimtarët”, mijëra qytetarë nga të gjitha vendet e Kosovës u tubuan duke iu përgjigjur thirrjes së ideatorëve të iniciativës “Liria ka emër”, Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli.
Përfaqësuesi i familjarëve të të zhdukurve gjatë luftës, Bajram Qerkini, tha se të paraburgosurit në Hagë janë vlera e lirisë së Kosovës.
Qerkini tha se nëse diku ka drejtësi, do të duhej të tregohej për fatin e mbi 1.600 njerëzve të zhdukur gjatë luftës.
Ai tha se beson që Thaçi dhe të tjerët do të dalin të pastër nga gjykimi.
“Po i shoh fytyrat këtu, Fatmir Limajn, po i shoh shumë pjesëtarë të UÇK-së, të cilët nuk mund të mos i përmend për shkak se qëndruan shumë gjatë dhe dolën të pastër (para drejtësisë). Me emër të Zotit edhe këta (Thaçi dhe të tjerët) do të dalin të pastër”, theksoi Qerkini.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, tha se Kosova ka bërë një marshim të gjatë historik për liri dhe pavarësi dhe këtë marshim e rikujton marshi i sotëm.
Ai tha se rrugët e Prishtinës janë mbushur për disa herë me radhë nga shqiptarët për të kërkuar të drejtat e tyre.
“Sot, ballëlartë e me zemër plotë, marshojmë krenarë për ata që dikur marshuan drejtë lirisë. Marshojmë për të kërkuar drejtësi, për ata që nga nesër do të përballen me një proces gjyqësor në cilin nuk janë për shkak të emrave të tyre të përveçëm por për shkak të epokës së lavdishme që përfaqësojnë”, theksoi Krasniqi.
Pas fjalës së Memli Krasniqit, në tribunë dolën familjarët e ish-presidentit Thaçi e të tjerëve që po mbahen në Hagë, veshur me të zeza dhe me mbishkrimin “Liria ka emër”.
– Gjykata Speciale: Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve fillon më 3 prill
Procesi i gjykimit ndaj Thaçit dhe të tjerëve do të fillojë më 3 prill. Dhomat e Specializuara të Kosovës sot bënë të ditur se deklaratat hyrëse do të jepen më datat 3, 4 dhe 5 prill.
Pas mbrojtësit të viktimave më 3 prill, është planifikuar që deklarata hyrëse të bëjnë secili prej katër ekipeve të mbrojtjes një ditë më vonë, më 4 prill.
Në rastin ndaj Thaçit dhe të tjerëve janë pranuar si viktima në procesin gjyqësor 140 persona. Paraqitja e provave, duke nisur edhe thirrja e dëshmitarëve nga ZPS-ja do të nisë më 11 prill.
Aktakuza ndaj katër ish-eprorëve të UÇK-së u konfirmua më 26 tetor të vitit 2020. Ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentari Kadri Veseli, ish-kryeparlamentari Jakup Krasniqi dhe ish-deputeti Rexhep Selimi ngarkohen me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë. Gjithashtu, kundër secilit prej tyre janë ngritur katër akuza për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.
Në Aktakuzë parashtrohet se krimet për të cilat janë ngritur akuzat u kryen së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 dhe ndodhën në disa vende në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë. /AA