Shko në fillim

LiveRadio Kontakt
 Tirana, “Kryeqyteti europian i ndotjes së ajrit”. Matjet alternative tregojnë nivele kritike të pranisë së ndotësve në ajër!

Tirana, “Kryeqyteti europian i ndotjes së ajrit”. Matjet alternative tregojnë nivele kritike të pranisë së ndotësve në ajër!

Ndotja e ajrit është një çështje mjedisore madhore në Shqipëri dhe qytetet më të mëdha të tij. Sidomos Tirana, si kryeqyteti i Shqipërisë dhe qyteti më i mbipopulluar përballet me shumë problematika shqetësuese lidhur me ndotjen e ajrit. Gjatë ditës, mjafton të kalosh nga bërja e një shëtitjeje të shkurtër përgjatë një zone me natyrë dhe gjelbërim siç është edhe parku i liqenit artificial, në një shëtitje në rrugën e qytetit pak më tutje dhe menjëherë e ndjen diferencën në ajrin që thith. Për të mos folur për diferencën që ndihet kur ngjitesh lart në parkun kombëtar të malit të Dajtit, aty e kupton që ajo përbërje që ke thithur gjatë gjithë kohës, nuk është asgjë e ngjashme me ajrin e pastër. Nga ana tjetër, një shtëllungë tymi që në përditshmërinë tonë e dëgjojmë me termin “smog”, mbulon të gjithë qytetin dallohet qartazi nga lart.

“Për mua ndotja e ajrit është shumë shqetësuese, duke qënë se kam edhe probleme me shëndetin, të zemrës dhe spok të mushkërive. Në momentet e mëngjesit kur ngrihem, sapo hap dritaren shoh parvazin apo rrobat e ndera zi komplet nga pluhuri. Sapo dal dhe filloj të eci ndihet direkt rëndesa e ajrit, sa edhe frymë nuk marr dot. Diferencën e përcaktoj kur shkoj deri në Dajt dhe sapo ngjitem atje unë filloj dhe ndjej një ndryshim të madh në frymëmarrje.” – shprehet pacientja Florina Kovaçi, banuese në Tiranë.

“Sot Tirana është qyteti më i pastër në rajon; cilësia e ajrit vlerësohet me notën 8-9 nga 10, nga sateliti i BE” ky ishte një ndër publikimet zyrtare të Bashkisë Tiranë lidhur me cilësinë e ajrit në qytetin e Tiranës. Ndërkaq, sipas rezultateve të vitit 2019 të Numbeo Pollution Index, Tirana është kategorizuar si një ndër qytetet më të ndotura në gjithë botën, duke u renditur e 38-ta nga 294 shtete dhe qyteti më i ndotur në Europën Jugore pas Tetovës në Maqedoni.

Rritja e mprehtë e ndotjes së ajrit lidhet me rritjen e përdoruesve të makinave, rritjen e aktiviteteve ndotëse dhe uljen e gjelbërimit urban. Agjensia Kombëtare e Mjedisit, si institucioni kompetent për matjen e cilësisë së ajrit dhe informimin e publikut, publikon çdo vit raportet e gjendjes së mjedisit. Sipas raportit të fundit të vitit 2021, në kapitullin për ndotjen e ajrit, është cilësuar se monitorimi i cilësisë së ajrit urban me stacione fikse është kryer në qytetet kryesore të vendit si: Durrësi, Shkodra, Korça, Berati, Lezha dhe Vlora. Ndërkohë, na bën përshtypje fakti që nuk është kryer edhe në Tiranë, duke marrë parasysh që Tirana është qyteti me i populluar në Shqipëri dhe me veprimtarinë më të lartë ndotëse. Monitorimi i vazhdueshëm është një domosdoshmëri, por është i mangët. Nëse shqyrtojmë RGJM e vitit 2019, vihet re se Tirana është e përfshirë ndër zonat e monitoruara por vetëm për parametrat NO2 dhe CO2, me stacione lëvizëse. Por edhe ato të dhëna nuk janë të plota.

Për vitin 2022 nuk janë publikuar ende të dhëna nga AKM. E pyetur më parë lidhur me problematikat apo pengesat që ndikojnë institucionin në realizimin e matjeve të parashikuara në kohë, cilëson: “Problematika kryesore është mirëmbajtia e stacioneve të ajrit. Stacionet e ajrit kanë nevojë për mirëmbajtje vjetore, e cila për shkak të procedurave dhe buxhetit të limituar, ka pasur raste që nuk është kryer e plotë”.

Lidhur me masat që janë ndërmarrë konkretisht nga AKM, komunikimi që jepet është “AKM ka si detyrë dhënien e rekomandimeve për marjen e masave nga pushteti lokal. AKM rekomandon pushtetin lokal për marrjen e masave”, ndërkohë që nuk kemi një përgjigje mbi masat konkrete që janë rekomanduar specifikisht.

Duke marrë parasysh se në Tiranë një ndër notësit më të mëdhenj të ajrit janë transporti dhe aktivitetet ndërtuese, burime kryesore këto të pranisë në ajër të ndotësve, mbetet primar monitorimi i rregullt nga institucionet përgjegjëse. Transporti publik nën standard me një flotë të vjetëruar autobusësh dhe planifikimi i dobët urban, rezultojnë në një situatë ku mijëra qytetarë e kalojnë pjesën më të madhe të ditës së tyre të mbërthyer në trafik, duke refuzuar të lënë makinat e tyre për metoda më të favorshme transporti ose më efikase për mjedisin, sepse të tilla nuk ka. Shtojmë këtu edhe cilësinë e dobët të karburanteve të përdorura si edhe ndërtimet e shumta pa kriter dhe “kullat” e reja që po ngrihen në çdo hapësirë të lirë të gjelbër. Mungesa e inspektimeve nga ana tjetër, ka favorizuar situatën e operatorëve privatë të transportit publik dhe entiteteve ndërtuese private, të cilët përveçse nuk ofrojnë shërbim brenda standarteve, janë shkaktarë të emetimit të lëndëve të dëmshme dhe vijojnë të pashqetësuar punën.

Të dhënat zyrtare të plota dhe të përshkruese nga matje të rregullta dhe rekomandimet periodike në bazë të gjetjeve, do të ndihmonin në marrjen e masave emergjente. Në mungesë të tyre, kryhen matje alternative, rezultatet e të cilave shpeshherë vlerësohen me rezervë nga ana e institucioneve. Por për fat të keq, janë të vetmet që aktualisht mundësojnë një vlerësim të përditësuar të ndotjes në ajër.

Një kontributor i rëndësishëm në sjelljen e të dhënave për Tiranën dhe adresimin e problematikave është edhe shoqëria civile dhe projektet me fokus mjedisin. Ndër to është projekti “Ajër i pastër, jetë e shëndetshme” i zbatuar në partneritet nga Mileukontakt Shqipëri, Together for Life, GO2 dhe Qendra EPER në vijim të “Green-AL”, një projekt i financuar nga Agjencia Ndërkombëtare Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim me fondet e Qeverisë Suedeze, i zbatuar nga Co-PLAN Institute for Habitat Development në bashkëpunim me VIS Albania, COSV – Cooperazione per lo Sviluppo dhe CISP – Sviluppo dei Popoli.

Sipas të dhënave të arritura nga matjet e kryera gjatë muajit Shtator 2022 në 400 pika monitorimi përmes pajisjes Arequal për përqëndimet e pranisë së parametrave të elementëve ndotës së ajrit PM 10, PM 2.5, CO2 dhe NO2 në qytetin e Tiranës, kanë rezultuar 50 % më të larta se standartet e vendosura nga BE dhe OBSH.

Si rezultat i zhvillimit të të gjitha fushave të ekonomisë dhe transportit, kemi rritje të faktorëve ndotës në zonat urbane, e si pasojë ulje të cilësisë së jetesës së qytetarëve që jetojnë në Tiranë.

Sipas një mini sondazhi të realizuar nga Together for Life në Nëntor 2022 në Tiranë lidhur me perceptimin e pacientëve (ku shumica prej tyre vuanin nga sëmundje kronike dhe akute) mbi ndotjen e ajrit dhe impaktin e tij në shëndet, 63 % e të anketuarve u shprehën se ndotja e ajrit në qytetin e Tiranës është shumë e lartë, 22.2% e të intervistuarve u shprehën se është e lartë dhe 84.1 % prej tyre ishin shumë të shqetësuar për ndotjen.

52.4 % e tyre mendonin se faktorët që shkaktojnë ndotjen e ajrit në Tiranë janë mjetet e transportit urban, ndërkohë 33.3 % mendonin se përveç mjeteve të transportit urban e shkaktojnë edhe industria, fabrikat, ndërtimet, djegia e mbeturinave. Shumica e të anketuarve shprehin shqetësim më së shumti mbi ndotjen nga përdorimi i automjeteve, nga mbetjet urbane, si edhe shkatërrimi i hapësirave të gjelbra dhe ndërtimet.

Ndër 5 zonat e përfshira në projektin “Ajër i pastër, jetë e shëndetshme”, Tirana ka rezultuar me tejkalim të normave në të gjithë parametrat e matur, që është një tregues i një gjendjeje shqetësuese, duke na përforcuar faktin se jetojmë në një qytet të betonizuar ku mushkëritë tona po ekspozohen dita-ditës ndaj sëmundjeve të rrezikshme. Ndër zonat me vlerat më të larta janë ato në rrethrrotullime apo kryqëzime kryesore të qytetit ku edhe veprimtaria është më e madhe. Përqëndrimi mesatar i ndotësve nga matjet e realizuara në Tiranë rezulton në vlera dyfish më shumë nga ato të lejuara.

Gjithashtu, në kuadër të projektit mundësohet edhe monitorimi i cilësisë së ajrit në kohë reale me pajisjet e instaluara IQAir në stacione stabël në Bashkinë Tiranë.

Të dhënat kanë treguar një tejkalim të normës së parametrit PM2.5 me vlera mbi dyfish nga norma e lejuar e vendosur nga Bashkimi Evropian (BE) dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH). Standardi i lejuar për PM2.5 është 25 µg/m3, ndërsa matjet në kohë reale kanë treguar që vlera deri në 55 µg/m3. Ky është një tregues për pasoja negative në shëndetin e qytetarëve të Tiranës, e sidomos të atyre që janë kategori më të ndjeshme. Fatkeqësisht, në databazën e ISHP, gjendet vetëm monitorimi i cilësisë së ajrit në Tiranë në vitin 2012, nuk kemi një studim më të thelluar për të bërë lidhjen midis ndotjes së ajrit dhe pasojave në shëndet. Në përgjigje të kërkesës për informacion nuk ka vënë në dispozicion asnjë të dhënë specifike lidhur me nivelin e ndotjes së ajrit dhe se si ndikon në shëndet, përveçse disa të dhënave evasive.

“Do duheshin orë të tëra për të folur për ndikimin e ajrit të ndotur në shëndet. Ndër problematikat bazë që shkakton ndotja e ajrit janë ato që lidhen me rrugët respiratore, duke filluar nga rihninet, laringitet, bronkitet e deri në dëmtime serioze të mushkërive. Këtu ndikojnë niveli i gazrave që çlirojnë automjetet dhe grimcat e pluhurave që ne nuk i shohim që hyjnë në mushkëritë tona. Pavarësisht se rrugët respiratore janë të specializuara që t’i izolojnë grimcat, për shkak të dendësisë së madhe është e pamundur që mukoza të kryeje funksionin e saj dhe kështu ato tentojnë të hyjnë thellë në mushkëri duke penguar frymëshkëmbimin. Gjithashtu, ndikon në dëmtimin e aparatit kardiovaskular. Nëse ne nuk kemi një mushkëri të shëndetshme, nuk kemi një oksigjenim të mirë të gjakut, kemi një zemër që vuan. Prandaj, mund edhe të ketë edhe pasoja të tjera vdekjeprurëse siç janë infarktet. Është e pamundur që çdo ditë të mos kemi pacientë që shfaqin ankesa.”– shprehet Dr. Ramiz Kërnaja – Mjek familjeje

Nëse flasim më në detaje për dëmet që këto vlera shkaktojnë në shëndetin e qytetarëve, shumica e vdekjeve që lidhen me ndotjen e ajrit shkaktohen nga ekspozimi i njeriut ndaj thithjes së grimcave të imëta të pluhurit PM2.5 të cilat konsiderohen një vrasës i heshtur pasi përthithen direkt nga mushkëritë dhe shkaktojnë efekte afatgjata dhe madje vdekjeprurëse. Nga ana tjetër, ekspozimi për një periudhë të gjatë ndaj niveleve të larta të CO2, rrit rrezikun për arrest kardiak dhe stroke. Gjithashtu, ndikon në problematika kronike të hipertensionit, astmës, sëmundje kronike të mushkërive, bronkit dhe tumor, si edhe sëmundje kronike të zemrës, deri në pasoja fatale.

“Sëmundjet që shkaktohen nga konsumimi i duhanit dhe ndotja e ajrit, janë shqetësuese Sëmundjet pulmonare, janë një nga tre shkaqet e vdekjeve në botë. Mund të ketë pacientë që s’kanë pirë kurrë duhan dhe shfaqin problematika. P.sh, kemi patur më parë rastin e banorëve të zonës së Vaqarrit ku digjeshin mbetjet, ku pothuajse të gjithë pacientët nga zona që vinin paraqisnin probleme, me pompa në shtëpi dhe u bënë me azmë kronike. Ndërkohë nëse flasim për ditët e sotme, 4 nga 10 pacientë me problematika të mushkërive të tipit azmë dhe spok që vizitohen në ditë pranë zyrës sime, janë pacientë që përdorin inhalator, raste të reja që shtohen ose raste kronike në vazhdim.” – shprehet Dr. Silvana Sadria, mjeke pneumologe

Sipas Bankës Botërore ndotja e ajrit është faktori kryesor mjedisor i rriskut në botë për shëndetin dhe shkaku i sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë nga sëmundjet ishemike të zemrës, goditje në tru, kancer të mushkërive, sëmundjet obstruktive kronike të mushkërisë, pneumoni, diabeti i tipit 2 dhe çrregullime neonatale. Në Shqipëri, gjatë vitit 2019, kanë humbur jetën 2,257 persona si pasojë e ndotjes së mjedisit të jashtëm dhe brenda shtëpisë. Sipas të dhënave, ndotja e mjedisit ishte përgjegjëse për 10 % të totalit të vdekjeve në vitin 2019.

Ndërkohë, sipas raportit “Air Quality in Europe” i vitit 2020, përmbajtja e lartë e grimcave të imta PM 2.5 në ajrin mjedisor shkakton rreth 5000 vdekje të parakohshme në vit në popullsinë e vendit tonë, kundrejt totalit 5280 vdekje të parakohshme në vit, të shkaktuara prej veprimit të kombinuar të PM2.5, NO2 dhe O3.

Situata kërkon marrjen e masave të efektshme tekniko-administrative për uljen e nivelit të ndotësve të ajrit mjedisor në shkallë vendi. Masat e deritanishme nuk rezultojnë në ulje të numrit të vdekjeve të parakoheshme, që i atribuohen ndotjes së ajrit sipas raporteve vjetore të Agjensisë Europiane të Mjedisit, përkundrazi. Nga 2610 vdekje te tilla të raportuara në raportin e vitit 2015 për Shqipërinë, shifra e raportit të vitit 2020 është rritur në 5280 – komunikon Agron Deliu, Ekspert, Instituti i Studimeve të Ambientit (ISA).

Gjithashtu, sipas një studimi të realizuar nga Dr. Hao Yang Tan,  një shkenctar në Institutin Lieber në Baltimore, ekspozimi ndaj ndotjes së ajrit është i lidhur edhe me keqfunksionime konjitive dhe një rritje të rriskut për depresion.

Ndotja e ajrit po ndryshon shprehjen e gjeneve që janë të favorshme për depresionin.Ndjeshmëria gjenetike ndaj depresionit, e kombinuar me nivelet e larta të ekspozimit ndaj ndotjes së ajrit kanë një efekt dëmtues në rrjetet e trurit që lidhen me kognicionin dhe stresin.

Duke ju rikthyer sondazhit të kryer me pacientët, lidhur me ndikimin që kanë faktorët e jashtëm në shëndetin e tyre, 88.9 % mendonin se ndotja e ajrit shkakton vështirësi në frymëmarrje, 42.9 % mendojnë se shkakton probleme me astmën dhe 41.3 % irritime në sy, hundë dhe grykë. 23.8% mendojnë se shkakton depresion.

Duke analizuar perceptimet dhe të dhënat e arritura nga matjet, si edhe efektet negative në shëndetin fizik dhe mendor të ndotjes së ajrit sipas vlerësimit të profesionistëve të shëndetit, arrijmë të kuptojmë se duhen ndërmarrë masa të rrepta dhe të shpejta për të reduktuar nivelet e ndotjes, për t’ju përafruar sa më tepër standarteve të vendosuara nga BE. Kjo duhet të nisë nga mundësimi i monitorimeve të rregullta nga institucionet përgjegjegjëse siç është AKM dhe marrje e masave nga pushteti lokal dhe vendor, me synim që qytetarëve t’ju ofrohet një mjedis ku të marrin frymë lirisht.

Në përpjekje për të adresuar problemin, Bashkia është përpjekur të promovojë përdorimin e mjeteve elektrike dhe të rregullojë çështjen e emetimeve industriale. Gjithashtu, ka promovuar fushata për rritjen e ndërgjegjësimit publik mbi rreziqet e ndotjes së ajrit dhe rëndësinë e reduktimit të.aktiviteteve ndotëse. Ndërkaq, Kryetari i Bashkisë Z. Erjon Veliaj gjatë prezantimit të aplikacionit “Tirana ime” në kuadër të Tirana Smart City, promovoi synimin e nismës në dobi të uljes së nivelit të ndotjes në kryeqytet. Paralelisht, u shpreh se Bashkia e Tiranës po punonte edhe me nisma të tjera si projekti për mbjelljen e 2 milionëve pemëve të reja deri në 2030 apo “Ditët pa Makina”. Nga ana tjetër, u shpreh se “100% e autobusëve do të jenë elektrik brenda vitit 2030, një operacion që e fillojmë tani dhe kemi 11 vite kohë ta realizojmë”. Por pavarësisht këtyre promovimeve të përpjekjeve, cilësia e ajrit në Tiranë mbetet sërish një sfidë që kërkon fuqizim më të madh të ligjeve mbi mjedisin, investime në energjinë e pastër dhe edukim në vazhdimësi të qytetarëve, si edhe një përpjekje e koordinuar e sektorit publik dhe privat në zbatimin e politikave të mbrojtjes së mjedisit.

Edhe sipas progres raportit të KE për Shqipërinë (2022) në kapitullin e mjedisit, në një ndër rekomandimet e cituara thekson: “Nevojiten më shumë përpjekje për cilësinë e ajrit dhe për të përmirësuar sistemin e monitorimit. Zbatimi i strategjisë kombëtare të cilësisë së ajrit 2014 ende është në pritje dhe Plani kombëtar mbi menaxhimin e cilësisë së ajrit 2019 nuk parashtron një system funksional monitorimi”.

Duket se në Programin Kombëtar të Mbrojtjes së Mjedisit 2023 të publikuar në faqen zyrtare të AKM në kapitullin e parë mbi Monitorimin e Cilësisë së Ajrit, është cilësuar si prioritet për vitin 2023 përmirësimi i cilësisë së ajrit në zonat ku janë tejkaluar limitet dhe ato ku ekziston një risk i lartë i tejkalimit të tyre, si edhe ruajtjen e nivelit të cilësisë në pjesën e mbetur të territorit. Në këtë paragraf, citohet se Tirana është ndër zonat prioritare.

/shendeti.com.al

Prev Post

Popullsia e BE-së deri në vitin 2100 do të shënojë rënie dhe plakje

Next Post

Itali, qeveria kërkon ndalimin e përdorimit të anglishtes në komunikimin zyrtar

post-bars

Leave a Comment