Kush ishte nr. 2 i Pavarësisë? / I pari i muslimanëve në Shqipërinë post-osmane
Arkivi Shtetëror ka kujtuar një prej figurave më të mëdha të Pavarësisë, të dytin pas Ismail Qemalin, njeriun që do ishte dhe udhëheqës i muslimanëve shqiptarë në Shqipërimë e pavarësuar.
“Më 24 mars 1937, u nda nga jeta Haxhi Vehbi Agolli (Dibra)”, shkruan Arkivi, duke vijuar me një biografi të shkurtër telegrafike:
“Rrugëtimi i tij jetësor ka qenë i ngjeshur me veprimtari të rrafshit fetar dhe atdhetar. Në vitin 1908, Agolli mori pjesë në Kongresin e Manastirit. Një vit më pas, qe në krye të punimeve të Kongresit të Dibrës.
Në kryedatën e historisë kombëtare, më 28 nëntor 1912, përfaqësoi Dibrën në Kuvendin e Vlorës. Në qeverinë e parë të Shqipërisë, u zgjodh kryetar i Pleqësisë dhe shërbente si mëkëmbës i Ismail Qemalit, në raste mungese.
U emërua myfti i Shqipërisë dhe më pas, në vitin 1923 u zgjodh Kryetar i Kongresit të Parë të Myslimanëve Shqiptarë.
Në vitin 1924, Agolli përuroi Medresenë e Naltë të Tiranës.
Krahas këtyre detyrave, ka lëvruar edhe në krijimtari. Studimet, krijimet dhe përkthimet e tij (zotëronte arabishten dhe osmanishten) janë botuar në shtypin e kohës, kryesisht në revistën ‘Zani i Naltë’. Në vitin 1993, në SHBA (Michigan) u publikua përmbledhja me shkrimet e tij nën titullin ‘Ç’urdhëron Kur’ani?’”. /tesheshi.com/