Shko në fillim

LiveRadio Kontakt
 Perfeksionizmi mund të jetë armiku juaj më i madh në punë

Perfeksionizmi mund të jetë armiku juaj më i madh në punë

Shumëkush mund të mendojë se perfeksionizmi pasqyron ambicien. Autorja e shëndetit mendor Morra Aarons-Mele, nuk pajtohet me këtë mendim.

“Perfeksionizmi është ankth”, thotë Aarons-Mele, drejtuesja e podcast-it “The Anxious Achiever” dhe autore disa librave.

Shumë njerëz mendojnë se “nëse nuk japim 100%, nëse nuk jemi të përsosur, të tjerët na gjykojnë”, shton ajo. “Nuk ka të bëjë me punën tonë. Bëhet fjalë për ne dhe vlerën tonë të qenësishme.”

Perfeksionizmi mes të rinjve është rritur ndjeshëm që nga vitet 1980, i nxitur pjesërisht nga mediat sociale dhe tendencat e njerëzve për të matur veten me suksesin e bashkëmoshatarëve të tyre në shkollë dhe në punë, zbuloi një studim i Shoqatës Psikologjike Amerikane të vitit 2018.

Dhe vendosja e standardeve jorealiste të larta për veten, është një “taksë” e fortë mendore.

Dy në pesë fëmijë dhe adoleshentë, janë perfeksionistë. Por, nuk është vonë për të ndryshuar prirjet perfeksioniste të gjithsecilit.

Mësoni të dalloni shenjat

Perfeksionistët kanë nivele më të larta motivimi sesa joperfeksionistët, tregojnë studimet, duke na bërë të ndihemi sikur ndjekja e përsosmërisë na mban në rrugën e duhur.

Por përfitimet ndalojnë këtu. Perfeksionizmi çon në vetëvlerësim të ulët, stres të lartë, depresion dhe çrregullime ankthi.

Gjithashtu, ka pasoja në punë. Duke përfunduar detyrat me më pak eficiencë, perfeksionistët bëjnë punë me cilësi më të ulët se sa janë të aftë. Në periudhën afatgjatë, perfeksionizmi zakonisht i çon njerëzit në burnout ose në moskryerjen e punës nga frika e bërjes së gabimeve.

Zgjidhja e këtij problemi është i thjeshtë: Filloni t’i kushtoni vëmendje kur dhe ku shfaqet në jetën tuaj. A jeni kaq të shqetësuar për një projekt të ardhshëm saqë nuk mund të hapni as një dokument? A e gjeni veten të mbërthyer pas laptopit tuaj deri në orët e vona të natës sepse një orë punë më shumë do ta bëjë raportin të përsosur?

Sa më mirë të njihen reagimet e gjithsecilit, aq më i thjeshtë është ndryshimi i tyre.

Vendosni ‘rregulla bazë’ për trurin tuaj

Nëse prirjet tuaja perfeksioniste pengojnë dukshëm performancën në jetë ose në punë, duhet të kërkohet ndihmë profesionale.

Duke pasur parasysh lidhjen midis prirjeve perfeksioniste dhe ankthit, ka të ngjarë që të ketë një shkak të fshehur të këtyre prirjeve, prandaj një profesionist i fushës mund të vijë në
ndihmë.

Përndryshe, mund të vendoset një kufi kohor për projektet, të cilat na tundojnë të punojmë shumë. Nëse një projekt nuk duhet të zgjasë tetë orë, nuk duhet ta lejojmë që të zgjasë aq.

Me një planifikim të mirë dhe përcaktimin i afateve për çdo detyrë, mund të bëhet një punë e mirë, edhe nëse nuk është e përsosur. Mund të vijë në ndihmë edhe vendosja e qëllimeve të vogla gjatë procesit të punës.

Këto strategji funksionojnë vetëm nëse arrihet një vetëkontroll në sasinë dhe cilësinë e punës, duke kundërshtuar zërin që thotë se gjithçka duhet të jetë e përsosur. / CNBC /monitor.al

Prev Post

Origjina e panjohur e ‘Himnit të alfabetit’, të shkruar nga Parashqevi Qiriazi

Next Post

Historitë e vogëlushëve që befasuan botën, 263 fëmijë të shpëtuar nga tërmeti në Turqi e Siri

post-bars

Leave a Comment