Shko në fillim

LiveRadio Kontakt
 Eurostat: 30% e popullsisë në Shqipëri nuk bën jetë normale nga problemet shëndetësore, niveli më i lartë në Europë

Eurostat: 30% e popullsisë në Shqipëri nuk bën jetë normale nga problemet shëndetësore, niveli më i lartë në Europë

Gati e një e treta e popullsisë së rritur në Shqipëri kufizohet në aktivitetet e përditshme, për shkak të problemeve shëndetësore.

Të dhënat e Eurostat tregojnë se 29.9% e popullsisë mbi 16 vjeç në Shqipëri nuk kryen rutinën e përditshme, për shkak të sëmundjeve, përqindja më e lartë në Europë.

Në vend të dytë renditet Letonia me 28.9% të popullsisë, Finlanda me mbi 28.6%, Danimarka me mbi 27% e etj. (shiko grafikun bashkëngjitur).

Serbia kishte përqindjen më të ulët të popullsisë (vetëm 8% e saj) që pengohen nga shëndeti për të bërë jetën që duan. Më tej Maqedonia e Veriut, me 8.9%, Suedia me 9% dhe Mali i Zi me 10.5% të popullsisë.

Por shqiptarët kanë perceptime kontradiktore për shëndetin. Po sipas të dhënave të Eurostat, që bazohen në anketat kombëtare të vendeve, 54% të shqiptarëve perceptojnë shëndet shumë të mirë, kjo është përqindja më e lartë në Europë, por kur pyetën nëse shëndetësia është pengesë në rutinën e tyre, përsëri shqiptarët janë shumicë, duke pranuar se, aspekte të jetës së tyre kufizohen nga sëmundjet.

Si një vend me përqindjen më të lartë të varfërisë në Europë, Shqipëria ka një sistem shëndetësor të nënfinancuar, një popullsi në plakje, me një trend sëmundjesh në rritje nga mungesa e diagnozave në kohë, akses i mangët në shërbime shëndetësore dhe kultura e dobët për kujdesin shëndetësor.

Vendi ynë financon vetëm 3% të PBB-së për shëndetësinë, një nga nivelet më të ulëta në Europë. Aksesi në barna dhe terapitë novatore të mjekimit është shumë i ulët. Një studim tjetër i vitit 2021 i IQVIA gjeti se, konsumi i ilaçeve për frymë është 35 euro në Shqipëri, kur në vendet e Adriatikut, është 158 euro.

Në listën shqiptare të rimbursimit janë vetëm 255 molekula, ndërsa në vendet e Adriatikut, 962 molekula.

Hendeku më i madh vërehet në onkologji ku vetëm 40 nga 165 (24%) molekula rimbursohen me hendek 75% ndaj konsumit të Adriatikut për frymë.

Buxheti i Fondit të Sigurimit Shëndetësor është rritur vit pas viti, por ritmet e rritjes nuk kanë qenë të njëjta për fondin e rimbursimit të medikamenteve. Në vitin 2019, fondet për rimbursimin e barnave zinin 27% të buxhetit total të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, ndërsa në vitin 2021, 23% të buxhetit total të sigurimeve.

Buxheti (FSDKSH) është rritur vit pas viti, por rritja më së shumti ka shkuar për financimin e kontratave me Partneritet Publik-Privat si kontrolli mjekësor bazë (check-up, sterilizimi i mjeteve kirurgjikale, dializa dhe së fundmi laboratori).

Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Shqipëria mbulon vetëm 70% të popullsisë së saj nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm. Boshllëku i Shqipërisë në mbulimin e popullsisë lidhet me buxhetin e ulët të Skemës së Sigurimeve Shëndetësore të Detyrueshme.

/monitor.al

 

Prev Post

Historitë e vogëlushëve që befasuan botën, 263 fëmijë të shpëtuar nga tërmeti në Turqi e Siri

Next Post

15-vjetori i Pavarësisë së Kosovës, Presidenti Begaj pritet nga Presidentja Osmani në Prishtinë

post-bars

Leave a Comment