Shko në fillim

LiveRadio Kontakt
 Këto janë qytetet me trafikun më të rënduar në botë

Këto janë qytetet me trafikun më të rënduar në botë

Trafiku është kthyer përsëri në normat e mëparshme.

Megjithëse izolimet dhe puna nga shtëpia mund të kishin ulur nivelin e trafikut në rrugët tona gjatë pandemisë, ai tani është rikthyer në normat ku ndodhej përpara Covid-it në shumë qytete në botë, madje në disa prej tyre këto norma janë tejkaluar.

Qytetet me trafikun më të lartë në botë ndodhen në SHBA dhe në Europë, sipas një raporti nga INRIX Research, një kompani e cila kryen studime në fushën e transportit.

Grupi zbuloi se 42% e zonave urbane në Europë kishin më shumë trafik sesa përpara pandemisë, ndërsa për SHBA-në, kjo shifër ishte 39%. Mbretëria e Bashkuar pati rezultate tepër të këqija, pasi 72% e zonave urbane kishin trafik tepër të lartë.

 

 

Në Mbretërinë e Bashkuar, shoferi mesatar ka shpenzuar 80 orë në trafik gjatë vitit 2022, krahasuar me 51 orë në SHBA.

Bob Pishue, i cili shkroi raportin, tha se pavarësisht se është “e mrekullueshme të shohësh se jeta qytetare dhe komerciale po i rikthehet normalitetit”, trafiku “po rikthehet gjithnjë e më tepër te nivelet përpara pandemisë, në mos po i tejkalon ato”.

Ai shtoi: “Ne duhet të menaxhojmë trafikun, ndërkohë që përmirësojmë lëvizshmërinë dhe aksesin në qytete për të mos lejuar atë që të dëmtojë rimëkëmbjen ekonomike dhe të ndikojë në cilësinë e jetës së udhëtarëve dhe të banorëve.”

Këto ishin pesë qytetet më trafikun më të lartë në botë për vitin 2022, në rend rritës.

 

 

5. Nju Jork

Tre nga pesë qytetet me trafikun më të lartë në vitin 2022 ndodhen në SHBA, me Nju Jorkun që renditet qyteti i tretë me trafikun më të rënduar në këtë vend. Shoferët në Nju Jork kaluan mesatarisht 117 orë në trafik vitin të kaluar, me kosto shtesë në karburant dhe kohë të humbur prej 1,976 dollarësh për çdo shofer.

 

4. Boston

Shoferët në kryeqytetin e Massachusetts kanë humbur mesatarisht nga 134 orë duke pritur në trafik, që është e barabartë me një kosto prej 2,270 dollarësh për person.

Sipas raportit, pati një rritje të madhe prej 72% në orët e humbura në trafik për vitin 2022, krahasuar me një vit më parë, kur qyteti renditej i 18-ti në botë.

Ashtu si disa qytete europiane, Bostoni ka një zonë historike në qendër të qytetit që nuk është e përshtatshme për trafikun e makinave, me korsi tepër të ngushta.

 

3. Paris

Shoferët kanë humbur 138 orë në trafik në kryeqytetin francez gjatë vitit 2022, duke e bërë atë qytetin e dytë me trafikun më të rënduar në Europë.

Trafiku është një problem i kahershëm në këtë qytet, pasi qendra e tij ka shumë rrugë të ngushta dhe të shtruara me kalldrëm. Në vitin 2022, trafiku në rrugët e qendrës së Parisit lëvizte me një shpejtësi mesatare prej 11 miljesh në orë.

 

2. Çikago

Qyteti i Illinois u rendit më i keqi në SHBA për trafikun, pasi shoferët humbën mesatarisht 155 orë në trafik vitin e kaluar. Kjo shënoi një rritje prej 49% nga viti 2021, kur Çikago u rendit qyteti i gjashtë në botë për sa i përket trafikut.

Trafiku i kushtoi çdo shoferi mesatarisht 2,618 dollarë në vitin 2022, pasi drejtuesit në rrugët më të ngarkuara në qendër të qytetit udhëtonin mesatarisht vetëm me 11 milje në orë gjatë vitit 2022, krahasuar me 15 milje në orë përpara fillimit të Covid-it.

 

1. Londër

Kryeqyteti britanik është qyteti me trafikun më të lartë në botë për të dytin vit radhazi, pasi shoferët kanë shpenzuar mesatarisht 156 orë në trafik në vitin 2022, 5% më shumë se përpara fillimit të Covid-it. Sipas raportit, kjo i kushtoi qytetit 5.7 miliardë dollarë në total, ose 1,377 £ për çdo shofer.

Trafiku i Londrës është shumë më i rënduar se në pjesët e tjera të Mbretërisë së Bashkuar, sipas raportit, i cili zbuloi se qytetet më të prekura ishin Bristoli, ku shoferët humbën mesatarisht 91 orë në vitin 2022, dhe Mançesteri, me 84 orë.

/ monitor.al

Prev Post

Norvegjia është para në përdorimin e makinave elektrike, pse?

Next Post

Këto janë 20 profesionet më të kërkuara për vitin 2023

post-bars

Leave a Comment