Komiteti i Parlamentit Europian miraton marrëveshjen për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës
Marrëveshja e cila u miratua sot është arritur në dhjetorin e vitit 2022 në mes të Parlamentit, Këshillit dhe Presidencës së Bashkimit Evropian e cila udhëhiqej nga Republika e Çekisë
Komiteti për Liritë Qytetare, Drejtësi dhe Çështje të Brendshme (LIBE) i Parlamentit Evropian (PE), ka miratuar marrëveshjen për liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në profilin e Komitetit në rrjetet sociale, bëhet e ditur se marrëveshja trepalëshe për liberalizimin e vizave për Kosovën është miratuar me 48 vota pro, 7 kundër dhe tri abstenime.
“Është miratuar marrëveshja trepalëshe për liberalizimin e vizave me Kosovën nga eurodeputetët me 48 vota pro, 7 kundër dhe 3 abstenime”, thuhet në njoftim.
Miratimi i marrëveshjes në këtë komision të PE-së dëshmon se formalizimi i vendimit të bllokut evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën po shkon sipas planit dhe procedurave përkatëse, ku përfshihen institucione të ndryshme të BE-së.
Marrëveshja e cila u miratua sot është arritur në dhjetorin e vitit 2022 në mes të Parlamentit, Këshillit dhe Presidencës së Bashkimit Evropian e cila udhëhiqej nga Republika e Çekisë.
– Si vijon procesi?
Ndërsa, pas kësaj faze përpara mbeten edhe disa hapa deri tek finalizimi i procesit. “Votimi pro liberalizimit në Parlamentin Evropian; Votimi me shumicë të thjeshtë nga Ambasadorët e BE-së; Votimi me shumicë të thjeshtë nga Këshilli i Ministrave të BE-së dhe Nënshkrimi i aktit ligjor nga përfaqësuesit e institucioneve të BE-së (Komisioni Evropian, Këshilli Evropian dhe Parlamenti Evropian)”, janë hapat që duhet të ndërmerren.
Pas këtyre hapave, vendimi për liberalizimin e vizave publikohet në Gazetën Zyrtare duke përfshirë datën e hyrjes në fuqi dhe në fund hyn në fuqi.
Institucionet e BE-së ranë dakord gjatë vitit 2022 që kërkesa për të mos pasur regjim vizash për kosovarët të zbatohet nga data e fillimit të funksionimit të Sistemi Evropian i Informacionit dhe Autorizimit për Udhëtimet (ETIAS) dhe në çfarëdo rasti, jo më vonë se 1 janari 2024.
Sipas rregullave, mbajtësit e pasaportave të Kosovës që udhëtojnë në BE pa viza, do të mund të qëndrojnë për 90 ditë, në çdo periudhë 180 ditore. /AA