Fuqizimi i shoqërisë civile kyç për avancimin e Shqipërisë drejt BE
Iliada Kovaçi
Informimi, bashkëpunimi dhe angazhimi i të gjithë aktorët publikë dhe jopublikë nw procesin e integrimit është në bazë të këtij procesi. Shqipëria gjendet në një fazë të rëndësishme të këtij rrugëtimi kur sapo ka marrë ftesën për hapjen e zyrtare të bisedimeve me BE-në për anëtarësimin. Procesi i negociatave që përkthehet në negocimin e 33 kapitujve të Acquis së BE mes dy palëve: asaj europiane me atë shqiptare, do të përfshijë të gjithë aktorët e shoqërisë, ku shoqëria civile e pajisur me kapacitete dhe ekspertizë, do të duhet të luajë rolin e saj monitorues dhe vlerësues, si dhe të jetë pjesë në këshillimin, diskutimin dhe informimin e kësaj faze.
Në procesin ku sapo ka hyrë vendi kërkohet që të gjithë aktorët, si institucionet publike qendrore dhe lokale, shoqëria civile, bota akademike, sektori privat, media etj., të përgatiten për t’u përfshirë dhe të kontribuar aktivisht. Bashkëpunimi i ngushtë ndërmjet shoqërisë civile dhe institucioneve publike është një nga elementet më të rëndësishëm dhe një parakusht për një demokraci të qëndrueshme, ndërkohë që komunikimi dhe bashkëpunimi janë thelbësorë për krijimin e një shoqërie gjithëpërfshirëse.
Në Shqipëri ekzistojnë të regjistruara rreth 8,000 organizata jo fitimprurëse, por shumica prej tyre joaktive dhe pa ndonjë veprimtari domethënëse. Tipike për organizatat në Shqipëri mbetet brishtësia e tyre dhe mungesa e kapaciteteve për t’u angazhuar në vendimmarrje në nivel lokal dhe qendror. Shoqëria civile ende vuan nga niveli i ulët i anëtarësimeve; mungesa e kapaciteve; staf i kufizuar profesional; përfshirje e ulët në procedurat konsultative dhe përfshirje thuajse minimale në procesin e monitorimit të institucioneve. Në vitet e fundit, Komisioni Europian, në raportet e tij të përvitshme për Shqipërinë thekson progresin minimal të arritur në përfshirjen e shoqërisë civile në politikbërjen lokale dhe qendrore “Nuk ka progres sa i takon zbatimit të udhërrëfyesit për një mjedis mundësues për shoqërinë civile… Duhen përpjekje madhore për të siguruar një proces konsultimi sistematik dhe të plotë me shoqërinë civile, për të pasur një dialog gjithëpërfshirës në kuadër të reformave”, theksohet nga Raporti i Komisionit Europian për Shqipërinë 2020. Institucionet evropiane theksojnë rëndësinë e zhvillimit dhe forcimit të shoqërisë civile, pasi “një shoqëri civile e fuqizuar, është një komponent kyç për çdo sistem demokratik e si i tillë duhet të njihet dhe trajtohet edhe nga institucionet shtetërore.”
Me qëllim rritjen e rolit të shoqërisë civile në vend, vitet e fundit janë ngritur disa institucione në nivel kombëtar si, Këshilli Kombëtar për Shoqërinë Civile (KKSHC) dhe Këshilli Kombëtar për Integrimin Europian (KKIE). KKSHC ka një rol këshillimor dhe synon ngritjen e urave për dialog dhe bashkëpunim mes Shoqërisë Civile dhe institucioneve publike për tema të fokusuara reformat që ndërmerr nga Qeveria, me qëllim konsolidimin e demokracisë demokracisë, qeverisjes së mirë dhe rritjes së transparencës në vendimmarrjen publike. Ndërkohë, Këshilli Kombëtar për Integrimin Europian, në përbërje të të cilit ka edhe përfaqësues të shoqërisë civile, shërben si struktura më e lartë këshilluese e Kuvendit të Shqipërisë për integrimin europian. Ky Këshill promovon dhe garanton bashkëpunimin gjithëpërfshirës mes forcave politike, institucioneve shtetërore dhe shoqërisë civile si dhe bën të mundur rritjen e transparencës në procesin vendimmarrës që lidhet me çështje të integrimit europian. Dhe, ndërsa, të paktën formalisht, janë hedhur hapa për përfshirjen e organizatave të mëdha me mbulim kombëtar në institucione të rëndësishme si KKSHC dhe KKIE, organizatat lokale vazhdojnë të jenë të papërfaqësuara jo vetëm në nivel qendror, por edhe lokal. Në KKIE janë anëtare 15 organizata të shoqërisë civile dhe të gjitha janë nga Tirana.
Kthimi i shoqërisë civile në një aktor të fortë në procesin e vendimmarrjes dhe monitorimit të punës së institucioneve së vendit, në kuadër të integrimit europian, do t’i shërbejë këtij procesi dhe do të jetë faktorë i rëndësishëm në përmbushjen në kohë të detyrimeve që lindin nga procesi. Shoqëria civile duhet të luajë një rol të rëndësishëm në hartim dhe zbatim të politikave si në nivelin qendror edhe në atë vendor. Shoqëria civile pritet të luajë një rol të rëndësishëm në procesin e integrimit europian në monitorimin, konsultimin dhe vlerësimin e veprimeve, masave dhe zhvillimeve në kuadër të procesit të integrimit europian të vendit. Ndaj krijimi i mjedisit mundësues është kyç për organizatat dhe për këtë është e nevojshme fuqizimi i kapaciteteve të tyre, për t’i bërë ato më të pavarura, transparente dhe te qëndrueshme financiarisht.
“Gender mainstreaming in the socio-economic policies of the municipalities in the region of Lezha” project, implemented by Together for Life organization, has been supported by Reactor – Research in Action and their partners through the Action “Furthering Gender Equality through the EU Accession Process”. This Action is funded by the European Union and co-funded by the Swedish International Development Cooperation Agency.
The contents of this post are the sole responsibility of the Together for Life organization and do not necessarily reflect the views of the European Union or the Swedish International Development Cooperation Agency.