FIFA nis procedurë disiplinore ndaj Serbisë për shkak të pankartës me hartën e Kosovës
Federata Botërore e Futbollit (FIFA) ka iniciuar procedurë disiplinore ndaj Federatës së Futbollit të Serbisë për vendosjen e një pankarte politike për shtetin fqinj të pavarur të Kosovës në dhomën e zhveshjes para ndeshjes me Brazilin në Kupën e Botës “Katar 2022”.
Në dhomat e zhveshjes, një hartë e Serbisë që tregon territorin e Kosovës shfaqet me sloganin “Jo dorëzim”, njoftoi AP.
Fotot e pankartës së varur mbi dollapët e lojtarëve Millosh Veljkoviç dhe Andrije Zhivkoviç qarkulluan në rrjetet sociale para humbjes së Serbisë 0:2 nga Brazili të enjten në Katar.
Federata e Futbollit të Kosovës u ankua zyrtarisht në FIFA ndërsa ministri i Sportit të Kosovës, Hajrulla Çeku e përshkroi imazhin si një përdorim të Kupës së Botës për të promovuar një “mesazh plot urrejtje”.
FIFA iu referua kodit të saj disiplinor që ka të bëjë me sjelljen e pahijshme, përfshirë “gjeste fyese, shenja ose gjuhë” dhe “përdorimin e një ngjarjeje sportive për të demonstruar një natyrë josportive”.
FIFA nuk ka bërë të ditur se kur duhet të jepet aktgjykimi dhe Serbia ndeshjen e radhës në Botëror do ta luajë të hënën ndaj Kamerunit.
– Serbia: Vendimi i FIFA-s për hetim disiplinor është hipokrizi
Ministrit i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq ka deklaruar se fillimi i hetimit disiplinor nga Federata Ndërkombëtare e Shoqatës së Futbollit (FIFA) ndaj Federatës së Futbollit të Serbisë (FSS) është “hipokrizi”.
Daçiq kritikoi me një gjuhë të ashpër fillimin e hetimit disiplinor nga FIFA ndaj FSS për shkak të “flamurit të Serbisë të pikturuar me hartën e Kosovës” me mbishkrimin “Jo dorëzim” në dhomën e zhveshjes të përfaqësueses së Serbisë e cila u përball me Brazilin në Kupën e Botës FIFA 2022.
Ministri serb Daçiq tha se e konsideron si “hipokrite” vendimin e FIFA-s për hetim disiplinor ndaj FSS-së. “Mendoni Ukrainën duke thënë ‘Krimeja është Ukrainë’. A do ta ndëshkonte dikush Ukrainën në një situatë të tillë?”, tha ai.
/AA