Shko në fillim

LiveRadio Kontakt
 28 Nëntori – Ditë e shënuar për shqiptarët

28 Nëntori – Ditë e shënuar për shqiptarët

Kjo datë për shqiptarët është një datë e rëndësishme, pasi shënon ngjarje të veçanta në periudha të ndryshme historike. 28 Nëntori i vitit 1443, Skënderbeu ngriti flamurin me shqiponjën dykrenare, në Kalanë e Shkodrës. Po në të njëjtën datë, më 28 Nëntor të vitit 1912, Ismail Qemali, ngriti flamurin në Vlorë, duke shpallur pavarësinë e shtetit shqiptar. Më 28 nëntor të vitit 1955, lindi heroi dhe komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, dhe po në këtë datë të vitit 1997, u krijua UÇK-ja.

Në Shqipëri këto ngjarje kanë të bëjnë me ngritjen e flamurit të arbërit, ndaj edhe 28 Nëntori quhet ndryshe Festa e Flamurit.
Shpallja e Pavarësisë më 28 Nëntor 1912 nga Ismail Qemali u deklarua në Kuvendin e Vlorës ku morën pjesë 83 delegatë nga të gjitha trevat shqiptare në Ballkan. Menjëherë pas saj, Asambleja formoi qeverinë e parë të pavarur, të kryesuar nga Ismail Qemali, si dhe Këshillin e të Urtëve të njohur ndryshe edhe si Pleqësia.

Njohja ndërkombëtare e pavarësisë së Shqipërisë dhe përaktimi i kufijve shtetërorë të saj u bë në përfundim të Luftës Ballkanike, në Konferencën e Londrës, gjatë së cilës, për fat të keq, u kënaqën shumë nga synimet copëtuese dhe aneksuese ndaj trevave shqiptare të fqinjëve sllavo-grekë.
Gjithsesi, njohja e Shqipërisë si shtet i pavarur e sovran nga ana e Fuqive të Mëdha dhe dora-dorës, edhe nga shtete të tjerë, ishte një akt me rëndësi jetike për popullin dhe kombin shqiptar. Kjo ngjarje shënoi menjëherë një linjë demarkacioni në historinë shqiptare. Ajo ishte frut i emancipimit të shqiptarëve si komb dhe i përpjekjeve të parreshtura të tyre për të qëndruar të lidhur me familjen europiane të kombeve të emancipuar.

Me Aktin e 28 Nëntorit të vitit 1912 afirmohet e drejta e pamohueshme e kombit shqiptar për të qënë një dhe i bashkuar në trojet e tij natyralë, e drejtë që mbrohet sot e kësaj dite nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. E drejtë që nuk mohon aspak atë të popujve dhe kombeve të tjerë ballkanikë të jetojnë të bashkuar, të lirë e sovranë në trojet natyralë të tyre.

Kjo aspiratë dhe kjo perspektivë, edhe pse sot është transferuar politikisht në idenë e integrimit në Bashkimin Europian të të gjithë popujve dhe vendeve të Ballkanit, mbetet ende e ushqyer në mendjet dhe në zemrat e shqiptarëve kudo ku jetojnë, në trevat e tyre historike në Ballkan si dhe shqiptarëve të shumtë të diasporës.

Shqipëria është tashmë shtet i pavarur dhe sovran prej më shumë se një shekulli. Ky vend i vogël ballkanik ka marrëdhënie diplomatike me 39 vende të botës dhe shquhet për politikën e tij paqedashëse në rajon dhe në botë si dhe kontribuon në disa misione në zona të nxehta të botës, në kuadrin e angazhimeve ndërkombëtare.

Prev Post

FIFA nis procedurë disiplinore ndaj Serbisë për shkak të pankartës me hartën e Kosovës

Next Post

Fermeri nga Kruja punëson pakistanezë për t’u kujdesur për lopët: Flasin pak dhe punojnë më shumë se shqiptarët

post-bars

Leave a Comment