Shko në fillim

LiveRadio Kontakt
 Qeveria e Kosovës ndryshon sanksionet për veturat që nuk janë riregjistruar

Qeveria e Kosovës ndryshon sanksionet për veturat që nuk janë riregjistruar

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur sot vendosi të miratojë shkallëzim të sanksioneve në rast të moszbatimit të vendimit të mëparshëm për riregjistrimin e targave ilegale në vend.

Qeveria e Kosovës ka vendosur që të mos fillojë menjëherë me konfiskimin e automjeteve me targa të lëshuara nga Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë, të cilat autoritetet kosovare i cilësojnë si ilegale. Në vend të kësaj, fillimisht pronarëve të automjeteve me targa të MPB-së serbe do t’u shqiptohen qortime, më pas gjoba, e më pas vendosjen e targave provuese.

Ky njoftim është bërë në prag të skadimit të afatit dymujor për riregjistrimin e automjeteve në targa legale të Kosovës, afat i cili skadon më 31 tetor.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë të përbashkët për media me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se pas diskutimeve të brendshme me autoritetet e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe organet tjera të sigurisë, kanë ardhur në përfundim se duhet të vendoset për shkallëzim të sanksioneve në rast të mos regjistrimit të automjetit.

“Në tri javët e para të muajit që vjen, nga data 1 nëntor deri më datë 21 nëntor, të gjithë ata që kanë targa ilegale, do t’u shqiptohet qortimi. Më pastaj, nga 21 data nëntor, për dy muaj, nuk do të ketë vetëm qortim, por do të ketë gjobë siç e parasheh ligji”, tha Kurti, duke shtuar:

“Prej 21 janarit të vitit të ardhshëm, deri më 21 prill, për tre muaj, (qarkullimi) është i mundur vetëm me targa provuese, por jo më me targat KM”.

Kryeministri Kurti u bëri thirrje edhe njëherë pronarëve të automjeteve me targa ilegale të riregjistrojnë automjetet e tyre dhe të shfrytëzojnë lehtësimet tatimore, të cilat tha se do të vlejnë deri më 31 mars të vitit të ardhshëm.

Kurti tha se qeveria qëndron në vendimin dhe qëndrimin e saj ndaj targave ilegale, por u ofron mundësi atyre që janë të interesuar, që të mund të integrohen. Ai ka theksuar se kjo është një mënyrë që Qeveria të zbatojë rendin dhe ligjin, por edhe t’i përgjigjet komunitetit ndërkombëtar, i cili ishte i shqetësuar për ndjeshmërinë e kësaj çështjeje për paqen dhe sigurinë në Kosovë dhe më gjerë.

Ditët e fundit është intensifikuar aktiviteti diplomatik i SHBA-së dhe BE-së që Qeveria e Kosovës të shtyjë për dhjetë muaj afatin e riregjistrimit të automjeteve, për shkak të rrezikut të përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veri të vendit.

Me kërkesë të aleatëve ndërkombëtarë, Qeveria e Kosovës tashmë një herë e ka shtyrë afatin, i cili fillimisht ishte e planifikuar të zbatohet më 31 korrik, kur serbët vendas bllokuan rrugët në veri të Kosovës me kamionë dhe makineri të rënda.

 

/AA

Prev Post

Kosova dhe Mali i Zi nënshkruajnë marrëveshje për rrugët Rozhajë – Pejë dhe Deçan – Plavë

Next Post

“Të hënën protestë kombëtare”, kreu i sindikatës së pedagogëve paralajmëron grevë urie

post-bars

Leave a Comment