Shko në fillim

LiveRadio Kontakt
 Popullata globale e kafshëve bie me gati 70% në gjysmë shekulli

Popullata globale e kafshëve bie me gati 70% në gjysmë shekulli

Sipas një vlerësimi të rëndësishëm shkencor, popullatat e kafshëve të egra në Tokë kanë rënë mesatarisht me 69% në më pak se 50 vjet, pasi njerëzit vijojnë të presin pyjet, të konsumojnë përtej kufizimeve të planetit dhe të ndosin në shkallë industriale.

Nga oqeani i hapur deri te pyjet tropikale të shiut, numri i zogjve, peshqve, amfibëve dhe zvarranikëve është në rënie të lirë, duke rënë mesatarisht me më shumë se dy të tretat midis viteve 1970 dhe 2018, sipas raportit dyvjeçar Living Planet të WWF dhe Zoological Society of London (ZSL). Dy vite më parë, përqindja ishte 68%, katër vite më parë, 60%.

Shumë shkencëtarë mendojnë se jemi duke jetuar zhdukjen e gjashtë në masë – humbja më e madhe e jetës në Tokë që nga koha e dinozaurëve – dhe se kjo po shkaktohet nga njeriu. 89 autorët e raportit u bëjnë thirrje liderëve botërorë të arrijnë një marrëveshje ambicioze në Samitin e Biodiversitetit Cop15 që do të mbahet në Kanada në dhjetor dhe të reduktojnë emetimet e dioksidit të karbonit, për të kufizuar ngrohjen globale më pak se 1.5 gradë Celsius brenda kësaj dekade dhe për të ndaluar shkatërrimin e shfrenuar të natyrës.

Living Planet Index ndërthur analizën globale të 32 mijë popullatave të 5,230 llojeve të kafshëve, për të matur ndryshimet në pasurinë e faunës së egër mes kontinenteve dhe specieve, duke krijuar një grafik të ngjashëm me një indeks aksionesh të jetës në Tokë.

Amerika Latine dhe rajoni i Karaibeve – duke përfshirë edhe Amazonën – regjistruan rënien më të fortë në përmasat mesatare të popullatës së kafshëve të egra, me rënie 94% në 48 vjet.

Tanya Steele, drejtuese e përgjithshme e WWF-UK, deklaroi: “Ky raport na tregon se rëniet më të këqija regjistrohen në rajonin e Amerikës Latine, ku ndodhet pylli më i madh tropikal në botë, Amazona. Shkalla e shpyllëzimit po përshpejtohet, duke e privuar këtë ekosistem unik jo vetëm nga pemët, por nga fauna e egër që varet prej tyre dhe nga aftësia e Amazonës për të vepruar si një nga aleatët tanë më të mëdhenj në luftën kundër ndryshimeve klimatike”.

Afrika regjistroi rënien e dytë më të madhe, me 66%, ndjekur nga Azia dhe Paqësori (55%) dhe nga Amerika e Veriut, me 20%. Europa dhe Azia regjistruan rënie 18%. Sipas raportit, humbja totale është baras me zhdukjen e popullsisë së njerëzve në Europë, Amerika, Afrikë, Oqeani dhe Kinë.

Kërkuesit theksojnë rritjen e vështirësisë së zhvendosjes së kafshëve në territoret tokësore, të bllokuara nga infrastrukturat dhe terrenet bujqësore. Vetëm 37% e lumenjve më të gjatë se 1000 kilometra lundrojnë lirisht në gjithë gjatësinë, ndërkohë vetëm 10% e zonave të mbrojtura tokësore në botë janë të lidhura.

Rëniet e ardhshme nuk janë të pashmangshme, thonë autorët, të cilët përcaktojnë si zona prioritare Himalajet, Azinë Juglindore, bregun lindor të Australisë, malet Albertine Rift dhe Eastern Arc në Afrikën Lindore dhe luginën e Amazonës.

IUCN po zhvillon, ndër të tjera, një standard për të matur potencialin e ruajtjes së një kafshe, i njohur si statusi i gjelbër, që do t’u japë mundësinë studiuesve të ndjekin një rrugë drejt rimëkëmbjes për disa nga një milion speciet që kërcënohen të zhduken në Tokë.

Robin Freeman, kreu i njësisë së treguesve dhe vlerësimeve në ZSL, tha se ishte e qartë se njerëzimi po gërryen themelet e jetës dhe nevojitet të veprohet menjëherë.

“Për të parë ndonjë përkulje të kurbës së humbjes së biodiversitetit … nuk ka të bëjë vetëm me ruajtjen, por të ndryshojë prodhimi dhe konsumi – dhe mënyra e vetme për ta ligjësuar apo për ta kërkuar këtë është të kemi objektiva të qartë dhe të matshëm, që kërkojnë rikuperimin e larmishmërisë, zvogëlimin e rrezikut të zhdukjes dhe ndërprerjen e zhdukjeve në Cop15 në dhjetor.”

/monitor

Prev Post

Si janë pagat e mësuesve në Europë?

Next Post

Kush është lagjja më “cool” në botë për vitin 2022

post-bars

Leave a Comment