Unioni Afrikan thirrje për hetim pas vdekjes së emigrantëve në Spanjë
Kreu i Komisionit të Unionit Afrikan, Mahamat bëri thirrje për hapjen e një hetimi lidhur me emigrantët e parregullt që humbën jetën teksa përpiqeshin të kalonin nga Maroku në Spanjë
Kryetari i Komisionit të Unionit Afrikan (AfB), Moussa Faki Mahamat bëri thirrje për hapjen e një hetimi lidhur me emigrantët e parregullt që humbën jetën teksa përpiqeshin të kalonin nga Maroku në Spanjë.
Mahamat në një postim nga llogaria e tij në Twitter vuri theksin se pamjet janë tronditëse dhe shqetësuese.
Në thirrjen e tij për fillimin e një hetimi menjëherë lidhur me vdekjet, Mahamat tha se të gjitha vendet duhet të përmbushin përgjegjësitë e tyre sipas ligjit dhe të respektojnë të drejtat e njeriut ndaj emigrantëve.
Ai theksoi se duhet të qëndrohet larg nga përdorimi i forcës ekstreme ndaj emigrantëve. “Jam i tronditur dhe i shqetësuar thellë përballë trajtimit poshtërues dhe dhunës me të cilën emigrantët afrikanë janë përballur teksa përpiqeshin të kalonin nga Maroku në Spanjë”, tha Mahamat.
– Pretendohet se 37 emigrantë humbën jetën
Në ngjarjen e shënuar mëngjesin e 24 qershorit në Melilla në kufirin Marok-Spanjë, rreth 1.500 emigrantë të parregullt nga ana e Marokut u dyndën në vijën kufitare në të cilën ndodhen tela me gjemba në një gjatësi prej rreth 10 metrash.
Policia e Marokut dhe autoritetet spanjolle, akuzuan emigrantët e parregullt për dyndje në mënyrë të organizuar në kufi si dhe sulm me gurë dhe acid kundër forcave të sigurisë.
Qeveria e Marokut njoftoi se kanë humbur jetën 18 emigrantë ndërsa janë plagosur mbi 100 persona të tjerë, përfshirë në mesin e tyre edhe policë marokenë.
Organizata e shoqërisë civile spanjolle “Caminando Fronteras” pretendon se në këtë ngjarje kanë humbur jetën 37 emigrantë.
Më tej u theksua se 133 nga emigrantët e parregullt kaluan në Melilla ndërsa u njoftua se të plagosur ka edhe në anën e Spanjës.
/AA