Shkëmbimet tregtare midis Kosovës dhe Shqipërisë arrijnë në 420 milionë euro
Ambasadori i Shqipërisë në Prishtinë, Qemal Minxhozi, ka treguar se marrëdhëniet tregtare ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë kanë arritur vlerën rreth 420 milionë euro.
Rreth 100 biznese po marrin pjesë në Panairin e Përgjithshëm “Prishtina 2022”, i cili u hap të enjten në Prishtinë, derisa organizatori, Oda Ekonomike e Kosovës, ka treguar se synon që përmes tij të kontribojë në rimëkëmbjen ekonomike pas pandemisë.
Në hapje të panairit i pranishëm ishte edhe ambasadori i Shqipërisë në Prishtinë, Qemal Minxhozi, i cili theksoi se marrëdhëniet tregtare ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë kanë arritur vlerën rreth 420 milionë euro.
“Të gjitha marrëveshjet që janë bërë midis dy qeverive gjatë këtij 6-7 vjeçari po japin efektet e tyre. Sot Shqipëria dhe Kosova eksportojnë dhe importojnë midis tyre rreth 420 milionë euro mallra. Kjo është një lajm i mirë krahasuar me vitin 2016 kur kishim vetëm 160 milionë euro. Por, mundësitë janë shumë më tepër që ky bashkëpunim të rritet”.
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari para afaristëve theksoi se si qeveri janë duke bërë reforma në ndryshme për të krijuar më shumë siguri për investime në Kosovë.
Ministrja Hajdari theksoi po ashtu se Kosova është vend i pasur me potenciale të mëdha për zhvillim ekonomik.
“E di që nevojat e sektorit privat janë të mëdha, duke filluar nga shumë barriera që kanë me burokracinë, që ndërmarrësit sfidohen. Bizneset kanë shumë nevojë për një fuqi puëntore të kualifikuar, për stabilitet dhe për të marrë frymë lirë. Dhe në këtë drejtim, ne po punojmë si qeveri e re me politika të qarta industriale, në reformat strukturore për lehtësimin e të bërit biznes në Kosovë. Po ashtu në reformat juridike për të sjellë më shumë siguri për investime në Kosovë. Po ashtu edhe në reformat e shumë ligjeve që sjellin një konkurrencë të shëndoshë, dhe ulin një burokraci. Kosova është shumë e pasur në aspektin e mineraleve, dhe resurse njerëzore që është faktori kryesor për zhvillim ekonomik. Ne duhet t’i qesim në pah këto potenciale për zhvillimin e vendit tonë, për krijimin e më shume vendeve të punës e më shumë eksporte”, theksoi ajo.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK) Berat Rukiqi e quajti këtë një panair të rimëkëmbjes ekonomike pas pandemisë duke thënë se Oda ka për synim që vitin e ardhshëm të dyfishojë ky numër.
“Për neve këtë vit panairi ka qenë një fillim nga zeroja. Fjala që më së shumti e ka karakterizuar ekonominë e vendit në periudhën e pandemisë ka qenë rimëkëmbja, pra si të rimëkëmbemi nga pasojat jo të lehta të pandemisë, e sidomos si të rimëkëmbemi tani kur e kemi një situatë të re, me krizë të çmimeve, e cila ka karakter global dhe që po ndikon negativisht edhe në ekonominë tonë. Kjo rimëkëmbje vlen edhe për këtë panair, kështu që ky është panairi i rimëkëmbjes dhe si i tillë meriton të vlerësohet shumë më shumë se çdo panair tjetër që kanë qenë në rrethana normale para pandemisë. Tani në këtë panair është një normalitet i ri, është një proces i rimëkëmbjes dhe i rikthimit”.
Panairi i organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës mbetet i hapur deri më 8 maj në Qendrën e Panaireve në Shkabaj të Prishtinës.
Revista Monitor