Shko në fillim

LiveRadio Kontakt
 Energji nga dielli mbi Drin

Energji nga dielli mbi Drin

Si do të menaxhohet kaskada me impiantin diellor të Qyrsaqit

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare, për herë të parë, nuk është një prodhues energjie vetëm nga “hidro”. Kaskada e Drinit e ka “diversifikuar” këtë, falë një impianti të instaluar në digën e Qyrsaqit, duke mundësuar përfitim edhe nga energjia diellore.

Enti Rregullator i Energjisë licencoi KESH për prodhimin e energjisë nga ky impiant, vetëm pak ditë më parë. Tashmë janë plotësuar të gjitha procedurat e nevojshme për të nisur operimin dhe injektimin e energjisë në rrjetin e transmetimit.

KESH parashikon që prodhimi mesatar vjetor nga ky impiant të jetë 7 milionë kwh dhe të mundësojë optimizimin e kaskadës dhe përdorimin e rezervës ujore. Në momentet kur nuk ka shi, ka diell, edhe pse prodhimi do të jetë modest, është sërish një avantazh.

Korporata ndërkohë ka aktiv një tjetër projekt, për një impiant fotovoltaik lundrues në Vaun e Dejës, i cili do të ketë kapacitet të instaluar prej 12.9 MWp dhe prodhimi mesatar vjetor parashikohet të jetë 18,500,000 kWh. Projekti është drejt përfundimit të fazës përgatitore dhe shumë shpejt, sipas KESH, do të nisë procesi i prokurimit për të përzgjedhur subjektin, i cili do ta zhvillojë.

KESH ka dhënë në një prononcim për Monitor më shumdetaje rreth këtij projekti.

Pak ditë më parë, nga KESH u bë i njohur fakti se centrali fotovoltaik i digë së Qyrsaqit mund të nisë prodhimin e energjisë pas marrjes së licencës përkatëse nga ERE. A mund të kemi disa detaje për aspektin teknik të këtij centrali dhe si po ecën prodhimi?

Projekti konsiston në ndërtimin e një impianti fotovoltaik të instaluar mbi sipërfaqen e digës së Qyrsaqit në hidrocentralin e Vaut të Dejës. Ky është i pari projekt i zhvilluar nga KESH sh.a në ndërtimin e burimeve të reja gjeneruese nga burimet e rinovueshme dhe gjithashtu është projekti i parë në Shqipëri që një impiant fotovoltaik instalohet në sipërfaqen e një dige hidrocentrali.

Ndërtimi i këtij impianti është në funksion të nevojës për diversifikimin e portofolit të prodhimit të KESH sh.a., nga burimet e rinovueshme të energjisë.

Impianti është i instaluar mbi sipërfaqen e digës së Qyrsaqit në HEC Vau i Dejës, duke respektuar të gjitha kushtet teknike që lidhen me sigurinë e digës.

Lidhur me aspektet teknike të këtij impianti mund të përmendim që impianti ka fuqi të instaluar 5.14 MWp dhe parashikohet që prodhimi mesatar vjetor i këtij impianti të jetë rreth 7,000,000 kWh.

Jetëgjatësia e impiantit, referuar garancisë që kanë panelet fotovoltaike të instaluar në këtë impiant, parashikohet të jetë 25 vjet.

Aktualisht, punimet për ndërtimin e impiantit kanë përfunduar, dhe gjatë kësaj kohe janë zhvilluar gjithë testimet/konfigurimet e nevojshme dhe impianti është gati për të nisur operimin komercial. Pas licencimit nga ERE, janë plotësuar të gjithë procedurat e nevojshme për të nisur operimin dhe injektimin e energjisë në rrjetin e transmetimit.

Ky është diversifikimi i parë i prodhimit për KESH që deri dje ka mbështetur tërësisht prodhimin në hidro. Cilat do të jenë efektet që do të japë plotësimi me këtë central në kaskadë në aspektin e optimizimit apo menaxhimit të rezervës hidrike të kaskadës?

Zhvillimi i këtij projekti është realizuar në funksion të realizimit të disa objektivave strategjike të KESH sh.a., konkretisht:

–          Diversifikimi i burimeve të prodhimit të energjisë elektrike nga KESH sh.a.

Aktualisht KESH prodhon energji elektrike nga burimet hidrike në masën 100% dhe një nismë e tillë është pozitive në funksion të diversifikimit të portofolit gjenerues nga burime të rinovueshme që përputhen me regjimet e shfrytëzimit hidrik, si dhe shtrirjes së mëtejshme të kësaj teknologjie edhe në sipërfaqe të pashfrytëzueshme të ngjashme në administrim të KESH sh.a.

–           Zhvillimi i projektit është tregues i mundësisë reale për investime me ndikim në përmirësimin e treguesve të sigurisë së rrjetit dhe sigurisë së furnizimit me energji elektrike.

Risku i lartë hidrologjik, për shkak të natyrës së burimeve të prodhimit të energjisë elektrike, si dhe nevojës për import të përvitshëm, sjell efekte në sigurinë e sistemit gjithashtu dhe në sigurinë e furnizimit, për shkak të kostove që i shkaktohen sektorit dhe për rrjedhojë, konsumatorit fundor. Ky risk mund të menaxhohet nëpërmjet teknologjisë së gjenerimit PV, e cila është antagoniste me riskun hidrik. S’ka reshje, ka diell.

–           Në arritjen e objektivave të vendosura në Strategjinë Kombëtare të Energjisë (SKE) dhe Strategjinë për Eficiencën (SE).

Diversifikimi i burimeve të prodhimit të energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme të ndryshme nga ato “hidro”, si dhe politikës për ndërtesat me net-zero energji, është një nga angazhimet e ndërmarra nga qeveria shqiptare në kuadër të SKE dhe SE. Modeli i propozuar nga KESH, jo vetëm që është pjesë e politikës së dekarbonizimit, por gjithashtu është modeli i duhur për nxitjen e mëtejshme të këtyre angazhimeve, si sipërmarrje të realizueshme dhe me kosto të përballueshme, si dhe kthim të sigurt të investimit.

–           Krijimin e KNOW-HOW për projektet e radhës (të ngjashme) në fushën e PV.

Potenciali për zhvillimin e projekteve të ngjashme është i madh, nëse u referohemi kushteve klimatike të vendit. Zhvillimi i një projekti të tillë është vlerë e shtuar, në funksion të vlerësimit real të mundësive për investim, qoftë nga fondet publike (subjekti administrues i digave etj.), por edhe subjektet private.

–           Shfrytëzimi i sipërfaqeve, pa cenuar interesin e përgjithshëm.

Digat e rezervuarëve/liqeneve janë vende optimale për zhvillimin e projekteve të tilla, për shkak të karakteristikave strukturore që janë ideale (këndi i sipërfaqes së digës, ose për analogji, këndi i çative të shtëpive) dhe nuk kërkojnë ndërhyrje civile të thelluara. Ky projekt nuk ka ndikim negativ në veprat civile (digë), si dhe është mundësi shumë e mirë për vënien në eficiencë të sipërfaqeve të pashfrytëzueshme, siç janë digat, çatitë e shtëpive ose tokat e kripura.

–           Kombinimi i prodhimit të energjisë elektrike nga dy burime të rinovueshme të saj, siç janë dielli dhe uji është një mundësi shumë e mirë për të garantuar rritjen e eficiencës në prodhim dhe për të rritur sigurinë e furnizimit të vendit me energji elektrike.

Kombinimi i prodhimit nga burimet hidrike me ato diellore është një mundësi shumë e mirë për vendin tonë. Gjatë muajve të verës, prodhimi i energjisë nga impiantet fotovoltaike është më i lartë për shkak të rrezatimit. Kjo do të sillte një kontribut më të lartë të këtyre impianteve në plotësimin e kërkesës për energji elektrike në vend, e cila do të sillte përdorim më të ulët të rezervës hidrike në këtë periudhë.

Ju keni edhe një projekt tjetër për një impiant fotovoltaik lundrues në kaskadë, që mbështetet nga BERZH. A mund të kemi disa detaje teknike të projektit dhe në çfarë faze është aktualisht?

Edhe ky projekt po zhvillohet në kuadër të diversifikimit të burimeve gjeneruese të energjisë elektrike nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare. Projekti konsiston në ndërtimin e një ishulli fotovoltaik Notues, i cili do të vendoset mbi sipërfaqen e rezervuar pranë hidrocentralit të Vaut të Dejës.

Aktualisht, projekti është drejt përfundimit të fazës përgatitore dhe shumë shpejt do të nisë procesi i prokurimit për të përzgjedhur subjektin i cili do ta zbatojë.

Zhvillimi i projektit po realizohet në bashkëpunim të ngushtë me partnerin tonë financiar, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), e cila e ka financuar atë. Deri tani, falë këtij bashkëpunimi, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka financuar 100% fazën studimore të projektit nëpërmjet një granti, duke angazhuar në këtë proces ekspertizën më të mirë ndërkombëtare.

Impianti fotovoltaik lundrues në Vaun e Dejës do të ketë kapacitet të instaluar prej 12.9 MWp dhe prodhimi mesatar vjetor parashikohet të jetë 18,500,000 kWh.

Për sa i përket kapacitetit të instaluar dhe teknologjisë që do të përdoret, ky do të jetë projekti i parë i kësaj shkalle (kapaciteti i instaluar 12.9 MW) në llojin e vet që zhvillohet jo vetëm në vendin tonë, por edhe në rajon.

Zhvillimi i këtij projekti, do të shërbejë si një katalizator, i cili do të përshpejtojë procesin e kalimit drejt përdorimit të burimeve të rinovueshme, jo vetëm në vendin tonë, por edhe në ato të rajonit.

Revista Monitor

Prev Post

Shqipëria me çmimin më të lartë të energjisë në Rajon pas Malit të Zi

Next Post

Shkëmbimet tregtare midis Kosovës dhe Shqipërisë arrijnë në 420 milionë euro

post-bars

Leave a Comment