Maqedoni e Veriut, qeveria miraton dekretin për gjuhën shqipe në uniformat e policisë
Ky dekret hyn në fuqi “në fuqi ditën e tetë nga dita e publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe do të fillojë të zbatohet gjatë një viti nga dita e hyrjes në fuqi”
Shkup
Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka miratuar një dekret për “uniformën dhe shenjat e uniformës së policisë”, që në bazë të ligjit për përdorimin e gjuhëve në kryeqytetin Shkup dhe në komunat ku banojnë të paktën 20 për qind e komuniteteve pakicë, uniformat policore të jenë të shkruara në gjuhën maqedonase dhe në gjuhën e komunitetit pakicë.
“Ky dekret është miratuar në bazë të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, ku sipas nenit 8 paragrafi (3) është përcaktuar se uniformat policore në Shkup dhe në komunat ku së paku 20 për qind e qytetarëve flasin gjuhën zyrtare ndryshe nga gjuha maqedonase, janë shkruar në gjuhën maqedonase dhe alfabetin e saj cirilik, si dhe në gjuhën që flasin së paku 20 për qind e qytetarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe alfabetin e saj”, thuhet në njoftimin e qeverisë.
Në njoftim po ashtu theksohet se ky dekret hyn në fuqi “në fuqi ditën e tetë nga dita e publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe do të fillojë të zbatohet gjatë një viti nga dita e hyrjes në fuqi”.
Kujtojmë se ligji i përdorimit të gjuhëve u miratua nga Kuvendi i Maqedonisë më 11 janar të vitit 2018, por ish-presidenti Gjorge Ivanov refuzoi dekretimin e tij me arsyetimin se është anti-kushtetues. Ligji u kthye përsëri në seancë plenare dhe më vonë, më 14 mars të po të njëjtit vit, ky ligj sërish u votua në Kuvendin e Maqedonisë.
Ky ligj parashikon që në të gjitha organet e pushtetit shtetëror krahas gjuhës maqedonase dhe alfabetit të saj, gjuhë zyrtare bëhet edhe gjuha që e flasin 20 për qind e qytetarëve të vendit dhe alfabeti i saj, që në këtë rast është gjuha shqipe./, transmeton Anadolu Agency (AA).