“Arkiva” thirrje shkencëtarëve për botime me fokus figurat historike
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ka nxjerrë një njoftim ku u bën thirrje studiuesve për pjesëmarrjen në botimet e financuara prej institucionit.
Në njoftimin e bërë thuhet se në fokus të botimeve do të jenë figurat historike në vendin tonë, nga Mesjeta e deri në ditët tona.
Të gjithët të interesuarit kanë afat deri në datë 14 mars.
“Kjo thirrje i adresohet çdo anëtari të bashkësisë shkencore, që ka interes të hulumtojë mbi tematikat që DPA-ja ka propozuar për botim. Mes temave të përzgjedhura bëjnë pjesë përvjetorët e lindjes apo të vdekjes të disa prej figurave më të rëndësishme në historinë e kombit, sikurse janë: Marko Boçari, Memet Pashë Dërrala, Nikolla Naço, Shtjefën Gjeçovi, Hilë Mosi, Gjon Shllaku, Hasan Prishtina etj.
Gjithashtu, është i mirëpritur edhe botimi i dokumenteve apo i punimeve monografike për çështje dhe personalitete historike të periudhave të ndryshme, duke nisur nga Mesjeta e deri në ditët tona.
Për vitin 2022, DPA-ja ka marrë përsipër shpenzimet për 5 (pesë) botime, secili prej të cilëve do të ketë një vëllim deri në 120.000 fjalë dhe 300 faqe daktilografike. Thirrja për pjesëmarrje do të qëndroje e hapur deri më datën 14 mars, 2022”, thuhet në njoftim. / KultPlus.com