Ministrja izraelite: Të mos vijnë ukrainasit që nuk janë hebrenj
Sipas gazetës izraelite “Walla”, ministrja e Punëve të Brendshme të Izraelit, Ayelet Shaked në fjalën që mbajti të dielën në Parlamentin izraelit tha se më shumë se 90% e ukrainasve që kanë shkuar në Izrael janë johebrenj dhe se ky fluks refugjatësh “nuk mund të vazhdojë më”.
Shaked pohoi se që nga 24 shkurti, kur Rusia i shpalli luftë Ukrainës, kanë hyrë në Izrael 2 mijë e 34 ukrainas dhe më pak se 10% e tyre kanë të drejtë të përfitojnë nga ligji i “Rikthimit” që u njeh të drejtën e nënshtetësisë hebrenjve të diasporës.
Nëse situata vazhdon kështu,- vuri në dukje ministrja Shaked,- 15.000 refugjatë të tjerë ukrainas do të shkojnë në Izrael brenda një muaji.
“Numri i njerëzve që hyjnë në vend [Izrael] nuk mund të vazhdojë kështu. Duhet të përcaktojmë një politikë”, shtoi ajo.
Pas fillimit të luftës ruso-ukrainase, Izraeli përshpejtoi evakuimin e hebrenjve ukrainas duke inkurajuar imigrimin e hebrenjve të diasporës në Izrael (“Aliya“).
Sipas ligjit të ashtuquajtur “Rikthimi“, ata që aplikojnë për të emigruar në Izrael duhet të jenë në gjendje të dëshmojnë se kanë të paktën një gjysh/gjyshe hebre.
Agjencia Hebraike e Izraelit, organizata më e njohur që promovon dhe organizon “Aliya“, që nënkupton imigrimin e hebrenjve në Izrael, ngriti në Poloni, Moldavi, Rumani dhe Hungari (përgjatë kufirit të këtyre me Ukrainën) me 6 pika procedurash për evakuimet nga Ukraina.
Sipas Ligjit të Rikthimit, vlerësohet se janë rreth 120.000 dhe 150.000 hebrenj ukrainas që kanë të drejtë të emigrojnë në Izrael./ TRT