Rubrika letrare Kontakt| 4 Poezi nga Liridon Mulaj
1.
Rrugëve të vendlindjes
tuj u end i vetmuem.
Diku s’largu
pashë veten teme fëmijë.
Nuk i fola, e as nuk i bana zâ
Pa ia tretë shpresat
e lashë me andrrue ,
dikend, ndryshe nga unë.
2.
E gjej veten shpesh të ngërthyer
në një kafaz prej hekuri.
Krahërori më rreh fort,
dhe lotët derdhen me rrëmete
dhe mërmëris me vete
a ndoshta lutem.
Për nënën
për motrat
për shpendët shtegtarë, peng i diellit
për fëmijët e vdekur
për gratë që e ngrysin jetën fillikat,
e shndërrohen në Shën-Mëri
Për nuset dhe vajin e tyre
të çuditshëm.
Për ata që ikën , a ndoshta për
ata që ende s’ia kanë mbërrirë
Për braktisjet,
për trupin
epshin…
Lutem për gjithçka,
a ndoshta për asgjë….
3.
Ngadale e nis kangën
jeta!
Dy duer të tërhjekin kryet e
të qesin syçelun n’kët kasaphanë
Ti kjan, e ata qeshin, ti pushon
e ata pushojnë me ty.
E kjo marri të ndjek përmas,
si oshëtimë e përhershme.
Ngadale e lëshon hapin njeriu,
mbi kërce të buta krejt i trembun
me frikë e guxim , si gishtat e hollë
të nanës mbi gjypnerët prej hekuri
a fjalët e babës natën mbas darket,
kur s’ka mbet gja për sofër,
Ngadalë vjen dashnia e idhët,
maskue me nji fustan me lule të verdha,
nen fytyrën e ambël të asaj qi vjen me ik,
e ik mos me ardhë.
Edhe vetmia ngadalë të bahet ves,
lëkurë deri në vdekje.
Ngadalë e pa britma, pa miq, pa paralajmërim,
vjen edhe ajo…vdekja.
4.
T’kisha imagjinue në njimilion gjëndje të lira.
Si puhizë e erës qi ngacmon lehtë sytë,
e eshnat e lotëve i shn’drron n’sfungjer.
T’pata kujtue si valë t’deteve
t’kripuna nëpër botë.
Si hanë e plotë ku ujqit
e maleve t’shkretueme
k’ndonin serenata n’kuisje qi ndillnin tmerr
Dhe pse ti nuk më bëzaje,
imagjinoja miliona citate shprese n’ofshamat e zanit tand t’ngjirun
Aty ku bota bashkonte copëzat e humbuna,
n’mjegullën e frymës tande…
|MEDIAKONTAKT