Profesori amerikan: Vendet evropiane që nuk e njohin Kosovën, po e ndihmojnë Serbinë
Një raport i Institutit të Politikës së Jashtme të Shkollës për Studime të Avancuara Ndërkombëtare (SAIS) dhe Qendrës Wilson me seli në Shtetet e Bashkuara vë në pah se njohja e Kosovës nga katër shtete anëtare të NATO-s, që nuk e kanë bërë një gjë të tillë, do të duhej të përdorej për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve Kosovë-Serbi që do të ndikonte edhe në pjesët tjera të Ballkanit Perëndimor.
Raporti me temën “Nga kriza në konvergjencë: Një strategji për trajtimin e paqëndrueshmërisë në burimin e saj”, propozon një strategji të re perëndimore për krijimin e rrethanave që do të mundësonin një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Analisti Edward Joseph, tha të martën gjatë një debati rreth kësaj strategjie se qartazi “gota nuk është gjysmë e mbushur” në rajonin e Ballkanit Perëndimor, i cili ende është në probleme. Ai tha se Serbia ka aspirata etno-nacionaliste ndaj tri shteteve fqinje: Kosovës, Bosnjës dhe Malit të Zi.
“Qeveria autokratike në Beograd është e orientuar drejt fuqive joliberale; Rusisë dhe Kinës. Duke qenë në pushtet për një dekadë, regjimi i (Aleksandër) Vuçiçit e ka kthyer prapa demokracinë në Serbi. Dhe Serbia mbrohet brenda Bashkimit Evropian nga fuqia joliberale evropiane: Hungaria. Ne besojmë se këto lidhje nuk janë vetëm taktike, për të siguruar vaksina apo investime, por pasqyrojnë karakterin e regjimi në Beograd”, tha Joseph.
Ai nënvizoi se nuk do të thotë që vendet tjera nuk kanë agjenda etno-nacionaliste, siç është ta zëmë “Shqipëria e Madhe”, apo ndarja e “Herceg-bosnjes”, por agjendat e tilla janë të kufizuara nga orientimi perëndimor. Kroacia dhe Shqipëria janë vende të NATO-s, gjë që ndërlikon çdo synim për ndryshim kufijsh, tha ai.
Por, Serbia nuk ka kufizime të tilla, përkundrazi ajo paraqet balancim të rrejshëm ndërmjet lindjes dhe perëndimit, tha ai duke nënvizuar se është e pakuptueshme se ku e gjen presidenti Vuçiç fuqinë për të penguar fqinjët dhe njëkohësisht të hutojë diplomatët amerikanë dhe evropianë, që e quajnë Serbinë udhëheqëse në rajon ndërsa ajo punon me Kinën dhe Rusinë.
“Besojmë që Serbia ka leva ndikimi kundrejt Kosovës dhe përmes saj kundrejt Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian. Dhe këto leva ndërlidhen me vendet e BE-së që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, katër prej të cilave janë anëtarë të NATO-s”, tha zoti Joseph, duke theksuar se qëndrimi i vendeve mosnjohëse i ka krijuar mundësi Serbisë të pengojë përparimin e Kosovës drejt BE-së dhe NATO-s.
Ai tha se rrugëdalja është në harmonizimin e qëndrimeve të katër vendeve mosnjohëse të pavarësisë së Kosovës, Spanjës, Sllovakisë, Rumanisë dhe Greqisë, me shumicën e vendeve anëtare të NATO-s, që tashmë e njohin Kosovën. Ai tha se Greqia për arsyet e saj strategjike, do të kishte interes nga njohja e Kosovës./www.infoshqip.com