Një amerikane, e para që shërohet nga HIV pas transplantimit të qelizave staminale
Një paciente amerikane me leuçemi është bërë gruaja e parë dhe personi i tretë deri më tani që është shëruar nga HIV pasi bëri një transplanti të qelizave staminale nga një donator që ishte rezistent natyral ndaj virusit që shkakton SIDA-n, thanë studiuesit të martën.
Rasti i një gruaje të moshës së mesme, e paraqitur në Konferencën mbi Retroviruset dhe Infeksionet në Denver, është gjithashtu i pari që përfshin gjakun e kordonit kërthizor, një qasje më e re që mund ta vërë kurën në dispozicion për më shumë njerëz, njoftojnë sot mediat ndërkombëtare.
Që nga marrja e gjakut të kordonit për të trajtuar leuçeminë e saj akute mieloide – një kancer që fillon në qelizat gjakformuese në palcën e eshtrave – gruaja ka qenë pa virus për 14 muaj, pa pasur nevojë për trajtime të fuqishme HIV të njohura si terapi antiretrovirale.
Dy rastet e mëparshme kanë ndodhur te meshkujt – një i bardhë dhe një latin – të cilët kishin marrë qeliza staminale të rrituri, të cilat përdoren më shpesh në transplantet e palcës kockore.
“Ky është tani raporti i tretë i një kure në këtë mjedis dhe i pari në një grua që jeton me HIV,” tha në një deklaratë Sharon Lewin, Presidente e zgjedhur e Shoqatës Ndërkombëtare për AIDS.
Rasti është pjesë e një studimi më të madh të mbështetur nga SHBA, të udhëhequr nga Dr. Yvonne Bryson nga Universiteti i Kalifornisë në Los Anxhelos (UCLA) dhe Dr. Deborah Persaud nga Universiteti Johns Hopkins në Baltimore.
Ai synon të mbikqyrë 25 persona me HIV që i nënshtrohen një transplanti me qeliza staminale të marra nga gjaku i kordonit kërthizor për trajtimin e kancerit dhe kushteve të tjera të rënda.
Pacientët në eksperiment i nënshtrohen fillimisht kimioterapisë për të vrarë qelizat imune kanceroze. Mjekët më pas transplantojnë qeliza burimore nga individë me një mutacion gjenetik specifik në të cilin mungojnë receptorët e përdorur nga virusi për të infektuar qelizat.
Shkencëtarët besojnë se këta individë më pas zhvillojnë një sistem imunitar rezistent ndaj HIV.
Lewin tha se transplantet e palcës së eshtrave nuk janë një strategji e zbatueshme për të kuruar shumicën e njerëzve që jetojnë me HIV. Por raporti “konfirmon se një kurë për HIV-in është e mundur dhe forcon më tej përdorimin e terapisë gjenetike si një strategji e qëndrueshme për një kurë HIV,” tha ajo.
Studimi sugjeron se një element i rëndësishëm i suksesit është transplantimi i qelizave rezistente ndaj HIV.
Rruga Press