Jo vaksinës me detyrim/ Protesta e kamionistëve kanadez mbërrin në Ottawa
NgaShani Pnishi
Pas një udhëtimi njëjavor anë e mbanë Kanadasë, një kolonë e madhe kamionësh, kamionistësh dhe protestuesish me mbishkrime nga më të ndryshmet kanë mbërritur në kryeqytetin kanadez, Ottawa për të protestuar ndaj vendimeve qeveritare për vaksinimit të obligueshëm, dhe ndaj masave në fuqi të pandemisë COVID-19. Demonstrues mbështetës të grevës së kamionistëve marshuan të shtunën gjithashtu para kryeministrisë dhe zyrës së kryeministrit Justin Trudeau. Një pjesë e tyre mbanin flamuj kanadezë-amerikanë, që nënkupton mendimin e tyre kundër detyrimit të vaksinimit për të kaluar kufirin Kanada-SHBA, i cili prej fillimit të pandemisë në pranverën e vitit 2020 ka qenë ndër më problematikët në botë.
Lëvizja është quajtur “Konvoji i Lirisë” dhe ka bërë që vendi të flasë. Lëvizja u nxit nga një mandat vaksine për kamionistët që kalojnë kufirin SHBA-Kanada, i zbatuar nga qeveria liberale e kryeministrit Justin Trudeau në fillim të këtij muaji. Të mërzitur me masën e re që do të kërkonte që kamionistët e pavaksinuar kanadezë të kalonin kufirin e dy kombeve për t’u karantinuar pasi të kthehen në shtëpi, një koalicion i lirë i kamionistëve dhe grupeve konservatore filloi të organizojë lëvizjen përtej vendit që filloi në Kanadanë perëndimore.
Në të tjera rajone kanadezët tregonin solidaritet me mijëra kamionistët që janë bashkuar në protestë drejt kryeqytetit Otawa kundër vaksinimit të detyruar të shoferëve për kalimin e kufirit me SHBA.
“Kam ardhur të falenderoj kamionistët që po i kushtojnë protestës kundër vaksinimeve kohën dhe paratë e tyre. Nuk duam të vaksinohemi me detyrim, kjo duhet të jetë një zgjedhje personale”, tha protestuesja Louise, citon gazeta kanadeze “The National Post”. “Të gjitha pasaportat e vaksinës duhet të hiqen, ato janë një ndërhyrje në jetën dhe privatësinë tonë”, shtoi ajo.
Si rrallë herë kamionistët kanë gjetur edhe përkrahjen popullore, të cilët gjatë krejt rrugëtimit janë përshëndetur nga njerëz që kishin ndalur në rrugë, dhe duke mbledhur më shumë se 8.1 milionë dollarë nga më shumë se 102,000 donacione në GoFundMe. Të shtunën në mëngjes, disa orë para nisjes së protestës, autoritetit e bashkisë së Ottawa-s thanë se nuk kishte më vend për automjete në qendër të qyteti, ndërsa protestat e kamionistëve bllokojnë rrugët gjithandej. Prej 15 janarit Kanadaja i kishte kërkuar punonjësve të shërbimeve thelbësore, të cilët më parë ishin të përjashtuar, të jenë të vaksinuar./gazetadiaspora