Pronarët e Incineratorëve shpërblyen vetëveten. Krijuan kompani konsulence për të marrë miliona lekë në muaj
Manovra të tjera financiare janë zbuluar nga aktiviteti i kompanive të incineratorëve, të cilat po hetohen nga SPAK tashmë prej dy vitesh. Dokumentacionet e publikuara së fundi nxjerrin në pah faktin se Klodian Zoto në cilësinë e administratorit të incineratorit të Elbasanit ka paguar vetëveten për konsulencë me miliona lekë. E njëjta skemë është zbuluar edhe në incineratorin e Fierit.
Skema e qarkullimit të parave thellon edhe më shumë skandalin i incineratorëve që po hetohet nga SPAK prej më shumë se dy vitesh.
Sipas disa dokumenteve të bëra publike, pronarët e koncensionarit të incineratorëve paguajnë veten e tyre për konsulencë.
Kështu, nga të dhënat e publikuara rezulton se administratorët e incineratorëve të Fierit dhe Elbasanit nuk janë mjaftuar me paratë e përpunimit të mbetjeve, por kanë marrë para edhe nga kompanitë e tjera që kanë në pronësi të tyre.
Nga janari deri në korrik të vitit të kaluar, një nga pronarët e incineratorit të Fierit, Klodian Zoto ka paguar rregullisht kompaninë ‘Zoto Consulting’ me 600 mijë lekë në muaj.
Në total kësaj kompanie i janë paguar 4.2 milionë lekë për 7 muaj.
Nga të dhënat e Qendrës Kombëtare të Biznesit, ky subjekt rezulton se është në pronësi të Klodian Zotos, me 90% të aksioneve dhe të Denisa Tollkuçit me vetëm 10% të aksioneve.
E njëjta situatë ndodh dhe me pronaren e incineratorit të Elbasanit, Stela Gugallja. Edhe kjo e fundit gjithashtu ka paguar veten për konsulencë.
Referuar dokumentit kompania ‘Consulting SE Partners’ në pronësi të Stela Gugalles është paguar me një shifer prej 1.1 milionë lekësh në muaj nga pronarët e incineratorëve.
Në total për 7 muaj ky operator konsultues ka marrë 7.7 milionë lekë.
Të dy këta persona janë shpallur në kërkim nga shteti shqiptar që prej dhjetorit të vitit që lamë pas.
Kujtojmë se rreth 1 muaj më parë kompania e Zotos ka marrë 62.7 milionë lekë si këst të radhës për të menaxhuar mbetjet urbane të qytetit të Fierit.
Rruga Press