Hekurudha Durrës-Rrogozhinë, 229 prona mund të preken nga ndërtimi e saj
Vlerësimi i Ndikimit në Mjedis për hekurudhën Durrës-Rrogozhinë zbardh se 229 prona mund të preken nga zbatimi i tij. Referuar dokumentit të bërë publik dhe të mbështetur nga Kuadri i Investimeve të Ballkanit Perëndimor sqarohet se statusi aktual i këtyre pronave mbetet i paqartë, pasi në një moment të dytë do të bëhet një kërkim më i hollësishëm.
Gjatë periudhës së përgatitjes së VNM ‐së, nuk ishte e mundur të merreshin të dhëna zyrtare për pronat dhe pronaret e prekur drejtpërdrejt nga Projekti. Këto të dhëna mund të sigurohen vetëm nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës, si institucioni i vetëm qeveritar, i cili ka të drejtë të regjistrojë, grumbulloje dhe shpërndajë te dhënat.
Megjithëse komunikimi zyrtar në këtë drejtim u bë në kohën e duhur, dhe Konsulenti e Hekurudha Shqiptare (HSH) bënë çdo përpjekje për të marrë te dhënat e nevojshme, lista e shpronësimeve e siguruar nëpërmjet “Raportit Kadastral” përfshin 229 prona qe mund te preken ne brezin hekurudhor, por pa informacion të mëtejshëm mbi statusin e këtyre pronave dhe pa emrat e pronareve përkatës” thuhet në dokument.
Sipas të njëjtit lista nuk përcakton nëse zona është në pronësi të HSH dhe nuk sqaron llojin e këtyre pronave, p.sh. shtëpi banimi, magazina, biznese, zona bujqësore, etj. “Rrjedhimisht, hollësitë e mëtejshme mbi këto prona do te sigurohen në një datë të mëvonshme, por gjithmonë para fillimit te ndërtimit te hekurudhës” nënvizon VNM-ja.
Projekti për hekurudhën Durrës-Rrogozhinë
Projekti i rehabilitimit të vijës hekurudhore Durrës-Rrogozhinë është pjesë e Korridorit VIII, i cili është një nga dhjetë korridoret e transportit Pan-Evropian. “Përveç të qenët pjesë e Korridorit VIII, ky segment përbën gjithashtu lidhjen e vetme hekurudhore midis pjesës Perëndimore, Lindore (Qafë Thanës dhe Pogradecit) dhe Jugore të Shqipërisë (qytetet Vlorë dhe Ballsh)” nënvizon dokumenti.
Zona e projektit përfshin tre bashki si Durrësi, Kavaja dhe Rrogozhina dhe për secilën prej tyre tashmë është bërë një vlerësim ndikimi i veçantë. Vija hekurudhore e projektit ndjek atë ekzistuese dhe pas rehabilitimit parashikohet që trenat të kenë shpejtësi 120 kilometra/orë. (MONITOR)