Rubrika letrare Kontakt| 3 poezi nga K.Gj
Reverie në gur
Gur më gur të rrëmores së kanionit
të dheut që harkohet prej detit Jon
dhimbja zbërthehet
si gjimbajtësja e një femre.
Liria asnjëherë nuk ka kuptim të drejtëpërdrejtë!
Këmbët gur më gur puthiten
aty ku çastesisht uji ka merë
dhimbja zbërthehet
e ngjyhet si ngjyrë në ndjenjë.
Ku shqisat përthyhen si drita
në një lupë miti të dhimbjes
pa rregulla në gjuhë.
Kullon në mashkullor, thyej në femëror!
Reveri në gur!
Në një kanion të tharë gur mbi gur
mendohen mendime ndjehen ndjenja
gurë të mprehtë si prej vështrimi
të sheshtë ndër zgavra dëshirimi.
Me muskuj të gjatë distancash t’mëdha
q’prej natyres së këmbës,
aq sa lëvizin ashte skeleti
me natyrë të kundër-ëndrrës.
Ska rregulla gur më gur të një reverie në kanion.
Si mund të besosh se zaten, përdoret gjuha
si mjet për te ngjitja e të shkuarit më thellë!
Në gurët e një kanioni të merë!
Ndije të lira
Ndija e dijes për ndijën
Në skajin e tejmë të skajit
Mugët e ka bojën
Mes nesh, meje, teje, atyre
Gjysmëhije e feksur me laps plumbi
Secili hedh portrete
Dhe shton kalimthi një retiçencë
A se nuk di, a se është i lënduar
Ndija e dijes për ndijën
Nuk është pikë për pikë ashtu
Veç e ka një ogur të mirë
Se mund të gjendemi afer
Me ndi jo me gjuhë
Me ndi me asht
Por dhe kur ndijmë pyesim
që të shpëtohemi prej fjalëve
Ç’gjuhë flet
Kur fjalët end
Kërkon të shpërqëndrosh ndër shkëputje
Tjerrje, numërime
Por vazin e ke n’kumt t’plagës
E t’qumështit
E t’fjalëve t’tilla prej kohësh të papërdorura
Opt, si opti vetë
I çeli opti
I humbi opti
t’u çel fytyra, çehrja
Sa gjatë mund të vështrosh dikë në sy
Blusmerald
bojë opali bojë thekre
Bojë tërfili
Kur fryn fryn fryn
Mes nesh flitet
Për ndijën e dijes për ndijën
Për lidhjet e lira të psikës
Tek përcjellin reminishencat e femijërisë.
Varg i prerë
Kolindë,
Vargu pritet nga pema e shkëputet
Gjinia e shpendëve një trill mbetet
Flickat, trinkat fluturojnë
Flladi i erës së gjallimit të tyre
Lëbyrëse shkëndija e syve
Kolindë!
Mbështjellë mbështetesh
Tretesh dhe abrupt tërhiqesh, shkëputesh
Prej një ene që zgjerohet dhe herë tkurret
Herë rrjedh dhe avullon
Lengu i lëngimit tënd.
Lëngu i lëngut të jetës
Kolindë.
Ena e nënës
Ena e vetes
Krijon qenien n’fluturim
zë i prajshëm
që përflitet tash për tash e për n’vazhdim
Ajo që je dhe ti
Kolindë!
K.Gj
|MEDIA KONTAKT