OKB-ja paralajmëron se ndihmat për Etiopinë mund të ndalen
Zëdhënësi i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Stephane Dujarric, theksoi se në Tigray që nga 15 dhjetori nuk ka hyrë asnjë kamion me ushqime dhe produkte të tjera të ndihmës dhe se në rajon vazhdon të përkeqësohet situata humanitare
New York
Organizata e Kombeve të Bashkuara ka paralajmëruar se organet e saj dhe agjencitë e ndihmës humanitare mund të mbesin të detyruara të ndalin operacionet e tyre nëse nuk mbërrijnë furnizimet humanitare, karburanti dhe ndihmat në para në rajonin Tigray të Etiopisë, ku lufta civile vazhdon për më shumë se një vit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Zëdhënësi i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Stephane Dujarric, në një deklaratë theksoi se në Tigray që nga 15 dhjetori nuk ka hyrë asnjë kamion me ushqime dhe produkte të tjera të ndihmës dhe se në rajon vazhdon të përkeqësohet situata humanitare.
Për të plotësuar nevojat e 5,2 milionë nga 6 milionë banorët në rajon është e nevojshme që në Tigray të hyjnë çdo ditë 100 kamionë me produkte, theksoi Dujarric, duke shtuar se që nga 12 korriku e deri më tani në rajon kanë hyrë 1.338 kamionë me produkte, që përkon me vetëm 12 për qind të nevojës.
Stephane Dujarric njoftoi se që nga 3 janari, organizatave të ndihmës partnere të OKB-së që operojnë në rajon u ka mbetur vetëm 10 mijë litra karburant dhe se nevojiten 60 mijë litra karburant për dërgimin e ndihmave ushqimore që ndodhen në qytetin Mekele.
“Pa para OKB-ja nuk mund të blejë furnizime lokale dhe të paguajë personelin e saj lokal. Pa karburant nuk mund të lëvizin kamionët që kryejnë shpërndarjen e ushqimeve dhe nuk mund të arrihet në vendet e nevojshme për përcaktimin e nevojave”, tha Dujarric, i cili vuri në dukje se për shkak të mungesës së karburantit që kufizon aftësinë e veprimit, ndoshta ka më shumë nevojë nga sa janë në dijeni.
Zëdhënësi i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së nënvizoi se u bën thirrje të gjitha palëve në luftën e brendshme që të lejojnë qasje pa pengesë dhe afatgjatë në Tigray, Amhara dhe Afar.
Konfliktet që filluan në nëntor 2020 dhe vazhdojnë prej më se një viti në veri të vendit kanë zhvendosur rreth 2,5 milionë persona, ndërsa rreth 6 milionë njerëz kanë nevojë për ndihmë emergjente.