Shko në fillim

LiveRadio Kontakt
 Një trashëgimi që rilind: Xhamia e Plumbit në Shkodër rihapet pas restaurimit të plotë

Një trashëgimi që rilind: Xhamia e Plumbit në Shkodër rihapet pas restaurimit të plotë

Xhamia e Plumbit në Shkodër është përuruar sot në një ceremoni solemne ku morën pjesë kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, ambasadori i Turqisë në Tiranë, Tayyar Kağan Atay, dhe Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed Sytari. Ky përurim shënon një moment të rëndësishëm për qytetin dhe trashëgiminë kulturore shqiptare.

Kryebashkiaku Beci e cilësoi restaurimin si një arritje që rikthen dinjitetin e këtij monumenti unik në Ballkan. Ai theksoi se Xhamia e Plumbit është një “diamant i çmuar” i Shkodrës jo vetëm nga aspekti historik, por edhe arkitektonik. “Kjo vepër i shton vlerë qytetit tonë dhe do të shërbejë si pikë referimi për vizitorët dhe zhvillimin e zonës historike të Shkodrës,” u shpreh ai.

Ambasadori turk Atay vlerësoi bashkëpunimin mes qeverisë turke dhe asaj shqiptare për restaurimin e plotë të xhamisë, një investim i rëndësishëm që ka sjellë në jetë një nga objektet më të rralla të trashëgimisë osmane në Shqipëri.

Myftiu i Shkodrës, Imam Sytari, u shpreh me emocion se përurimi i xhamisë përmbush një ëndërr të kahershme. Ai theksoi se “Xhamia e Plumbit del nga bataku i përmbytjeve dhe hyn në një epokë të re, e rilindur, por gjithmonë e lidhur me shpirtin shekullor të saj”.

Ndërtuar në vitet 1773-1774 nga Mehmet Pashë Bushati, kjo xhami përfaqëson një ndërthurje të arkitekturës osmane, turke dhe arabe. Me një oborr të brendshëm të mbuluar nga 12 kupola dhe një tambur që ngrihet deri në 20 metra lartësi, ajo mbetet xhamia më e lartë osmane e ruajtur në vend. Konsiderohet një nga 50 monumentet më të bukura në botë dhe është një nga xhamitë më të rëndësishme të stilit osman në Shqipëri.

Në vitin 1948, ajo u shpall monument kulture dhe mori statusin e mbrojtjes nga shteti shqiptar. Megjithatë, pas ndalimit të fesë në vitin 1967, xhamia u dëmtua rëndë, veçanërisht me rrënimin e minares, dhe për një kohë të gjatë nuk është përdorur për rite fetare.

Procesi i restaurimit nuk përfshiu vetëm riparimin e ndërtesës, por edhe transformimin e të gjithë hapësirës përreth saj, duke i dhënë një frymë të re një prej monumenteve më të çmuara të trashëgimisë kulturore shqiptare.

Prev Post

Turqia do të marrë sërish komandën e KFOR-it në tetor 2025

post-bars

Leave a Comment