Shko në fillim

LiveRadio Kontakt
 112-vjetori i shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë

112-vjetori i shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë

Sot Shqipëria feston 112-vjetorin e shpalljes së pavarësisë. Më 28 nëntor 1912, Ismail Qemali ngriti flamurin kombëtar në Vlorë, duke shpallur Shqipërinë shtet të lirë dhe sovran.

Kjo datë, e njohur si Dita e Flamurit, është një moment i shenjtë për të gjithë shqiptarët, kudo që ndodhen. Pas shpalljes së pavarësisë, Ismail Qemali, kryetari i Qeverisë së Përkohshme, njoftoi gjashtë Fuqitë e Mëdha të kohës: Britaninë e Madhe, Italinë, Austro-Hungarinë, Francën, Gjermaninë dhe Rusinë, si dhe shtetet ballkanike: Rumaninë, Malin e Zi, Serbinë, Bullgarinë, Greqinë dhe Turqinë, duke kërkuar njohjen e pavarësisë së Shqipërisë, si rezultat i vullnetit të popullit shqiptar. Në të njëjtën ditë, Qemali u shpall kryetar i Kuvendit dhe i qeverisë së parë shqiptare, ndërsa ministrat u përzgjodhën nga të gjitha krahinat shqiptare, duke përfaqësuar të gjitha trojet.

Ky akt historik përfaqëson një nga momentet më të rëndësishme në historinë e kombit shqiptar, rezultat i përpjekjeve shekullore për mbrojtjen e tokave dhe formimin e një shteti të pavarur. Me shpalljen e pavarësisë nga Kuvendi i Vlorës, shqiptarët fituan të drejtën e tyre për liri dhe pavarësi, në të njëjtin nivel me kombet e tjera evropiane dhe hapi rrugën për zhvillimin politik, ekonomik, shoqëror dhe kulturor të vendit.

Shpallja e Pavarësisë ishte gjithashtu një fitore kundër politikave antishqiptare të shteteve fqinje, të cilat synonin ndarjen dhe copëtimin e Shqipërisë.

Radio Kontakt uron të gjithë shqiptarët gëzuar Ditën e Pavarësisë!

Prev Post

Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe

post-bars

Leave a Comment