Shko në fillim

LiveRadio Kontakt
 120-vjetori i ndarjes nga jeta i ideologut të Rilindjes Kombëtare, Sami Frashëri

120-vjetori i ndarjes nga jeta i ideologut të Rilindjes Kombëtare, Sami Frashëri

Muzeu Historik Kombëtar kujtoi sot, në ditën e ndarjes nga jeta, Sami Frashërin, ideologun e Rilindjes Kombëtare shqiptare, dijetar i përmasave botërore, shkrimtar, dramaturg, linguist, hartues i enciklopedisë së madhe “Kamus al alam”.

Sami Frashëri lindi në Frashër të Përmetit më 1 qershor 1850. Ishte një nga djemtë e Halit bej Dakollarit. Mësimet e para i mori në fshatin e lindjes. Më 1865 së bashku me pesë vëllezërit e tij dhe dy motrat u vendos, në Janinë, ku me vëllanë, Naimin, Sami Frashëri kreu shkollën e mesme greke “Zosimea”, ku përveç kulturës së përgjithshme, përvetësoi krahas greqishtes së re e të vjetër edhe gjuhën latine, gjuhën frënge dhe atë italiane. Në Tetovë, nga Mahmut Efendiu, mësoi arabisht, persisht dhe turqisht.

Më 1872 u vendos në Stamboll ku zhvilloi një veprimtari të gjerë patriotike për çlirimin dhe bashkimin kombëtar të popullit shqiptar dhe bashkëpunoi me përfaqësuesit më përparimtarë të lëvizjes demokratike-borgjeze turke.

Përgjatë Krizës së Madhe Lindore, qe pjesë “Komitetit Qendror për mbrojtjen e të drejtave të kombësisë shqiptare të drejtuar nga i vëllai, Abdyli. Ishte pjesë e 10 funksionarëve të lartë të shqiptarëve të kryeqytetit perandorak që nënshkruan memorandumin dërguar pritësit të Kongresit të Berlinit, kancelarit Bismark dhe kontit austro-hungarez Andrassy duke kërkuar reforma dhe shqiptarët të mund të rrinin brenda Perandorisë Osmane duke iu respektuar të drejtat, dëshirat, interesat dhe traditat.

Ai drejtoi revistat e para në gjuhën shqipe “Drita” dhe pastaj “Dituria” (Stamboll, 1884-85) ku shkroi një numër të madh artikujsh. Për nevojat e shkollës shqipe hartoi librat “Abetare e gjuhës shqipe” (1886), “Shkronjtore e gjuhës shqipe” (gramatika, 1886) dhe “Shkronjë” (Gjeografia, 1888) në gjuhën shqipe.

Ishte një ndër organizatorët kryesorë të “Komitetit Qendror për mbrojtjen e të drejtave të kombësisë shqiptare” dhe me themelimin e “Shoqërisë së të shtypurit me shkronja shqip” (1879) u zgjodh kryetar i saj. Vdiq në Stamboll në moshën 54 vjeçare, më 18 qershor 1904.

Sami Frashëri është autor i 57 veprave në gjuhën shqipe, turke dhe arabe duke përfshirë këtu edhe revistat e gazetat që i drejtoi duke botuar vetë në to.

Disa prej titujve të veprave janë:

Taaşşuk-i Tal’at ve Fitnat (Dashuria e Talatit për Fitneten) – romani i parë në turqisht (1872)

Besa yahud Ahde Vefâ (Besa ose Mbajtja e premtimit) – dramë në gjashtë pamje (1875)

Gâve (Gjave) – Dramë me pesë pamje (1876)

Medeniyyet-i-l islamiyye (Qytetërimi islam) – nga seria “Biblioteka e xhepit” (1879, 1885)

Kamus-i Fransevî – Fjalor turqisht-frëngjisht (1882/85)

Abetare e gjuhës shqipe (1886)

Shkronjtore e gjuhës shqipe (1886)

Dheshkronjë – Libër gjeografie (1888)

Kamus-ül Alam – Enciklopedia e parë në turqisht (1889–1896)

Kamus-i Arabi – Fjalor Arabisht-Turqisht (1889)

Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet (1899)

Kamus-ı Türkî – Fjalor i turqishtes (1901)

Prev Post

Mesazhe politike kundër Kosovës/ UEFA hap hetimin ndaj Serbisë

Next Post

Arkeologët zbulojnë gjurmë të reja për qytetin ilir në Shkodër

post-bars

Leave a Comment