Kosova njofton Këshillin e Evropës se po përgatit draft-statut për Asociacionin
Ministrja për Punë të Jashtme dhe Diasporë e Kosovës, Donika Gërvalla, tha se përmes një letre ka njoftuar Këshillin e Evropës, se Kosova po përgatit një draft-statut për themelimin “një mekanizmi për vetmenaxhim, koordinim dhe bashkëpunim të komunave me shumicë serbe në Kosovë”.
Ky draft, do të dërgohet për interpretim në Gjykatën Kushtetuese deri në fund të muajit maj.
Qeveria ka pranuar më herët se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është vendosur si kusht për pranimin e shtetit në organizatën e Këshillit të Evropës.
Sipas Gërvallës, ky draft-statut, plotëson nevojat e qytetarëve të komunitetit serb dhe njëkohësisht respekton Kushtetutën e Kosovës dhe parimet e Këshillit të Evropës.
“Drafti siguron jo vetëm respektimin e plotë të Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës, por në të njejtën kohë pamundësimon ndërhyrjet e palejueshme nga jashtë, si në komunat e Kosovës, ashtu edhe në të gjithë vendin”, shkroi ajo në Facebook.
Ministrja Gërvalla tha se me konkretizimin e zotimit për themelimin e Asociaiconit, Kosova pret që Këshilli i Evropës të përmbushë pjesën e vet ” të detyrimit dhe të ftojë Kosovën për t’iu bashkuar pa vonesë Këshillit të Evropës, si vendi të cilit jo vetëm që i janë vendosur më së shumti kushte për anëtarësim në këtë organizatë, por i cili i ka përmbushur të gjitha këto kushte”.
Gerald Knaus, nga Iniciativa Evropiane për Stabilitet, ka publikuar në X, që më herët njihej si Twitter, letrën e plotë që Gërvalla i ka dërguar presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ligjvënësit grek Theodoros Rousopoulos.
Në letër, autenticitetin e të cilit, Qeveria e Kosovës e konfirmoi për Radion Evropa e Lirë, thuhet se draft-statuti që po përgatit Kosova do t’i dërgohet për intepretim Gjykatës Kushtetuese të Kosovës deri në fund të majit.
“Në këtë drejtim, Qeveria e Kosovës po përgatit draft-statutin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe [në kuadër të obligimeve të neneve 7 dhe 10] të frymëzuar nga Fondacioni Friedrich Ebert, do të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim deri në fund të majit të vitit 2024”, thuhet në letër.
Nenet, që janë referuar në këtë letër, kanë të bëjnë me Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të ra dhe Aneksin për zbatimin e marrëveshjes, që Kosova dhe Serbia arritën vitin e kaluar në dialogun që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
/euronews