“AstraZeneca” shkakton mpiksje gjaku, mjeku në Angli: Vaksinimi i detyruar ishte gabim
AstraZeneca ka pranuar për herë të parë se vaksina e saj kundër koronavirusit mund të shkaktojë efekte të rralla anësore. Një prej tyre mund të jetë mpiksja e gjakut që ka çuar deri në vdekje.
Dhe, kjo ishte tema e bisedës në “Dita jonë” me dy mjekë shqiptarë që jetojnë në dy vende ku fushatat dhe thirrjet për t’u vaksinuar kanë qenë intensive, Britani të Madhe dhe Gjermani.
Adrian Fandi, mjek në Angli dhe Marsela Ceno, mjeke në Gjermani bien dakord se periudha e studimit për vaksinat anti-covid ishte shumë e vogël, por shtojnë se njerëzit në atë kohë kishin nevojë për diçka që ta luftonin virusin.
Mjeku Fandi thotë se firmat farmaceutike kanë qenë në dijeni të efekteve që mund të japin këto injeksione, por s’i kanë treguar. Me faj ai bën edhe qeveritë që i kanë detyruar qytetarët në periudhën e pandemisë që të vaksinoheshin.
E duhura, sipas tij, do të ishte që njerëzit të testoheshin për antitrupa, e më pas të bënin vaksinat nëse niveli i mbrojtjes ndaj virusit do të ishte i ulët.
Nuk dihet ende zyrtarisht nëse vaksinat kanë pasur ndikim, por mjekët thonë se ata në këto vite pas pandemisë kanë vënë re se sëmundshmëria është rritur.
“Diçka ka ndodhur. Akoma nuk është bërë një studim…”
Një tjetër problem i evidentuar nga mjekët në vitet e fundit është numri në rritje i rasteve me turbekuloz. Adrian Fandi thotë se situata po kthehet në një problem serioz, teksa shtoi se nuk dihet ende nëse në përpjekje për të luftuar koronavirusin, vaksinat kanë ulur imunitetin e trupit ndaj sëmundjeve të tjera.