Tiranë – Samiti i vendeve të Ballkanit Perëndimor
Në Tiranë u mbajt Samiti Rajonal mbi Planin e Rritjes dhe Konvergjencës me fokus integrimin e Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Evropian (BE), si edhe zbatimin e Planit të Rritjes të BE-së për Ballkanin Perëndimor.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, si mikrpitës i samitit, ka pritur liderët dhe zyrtarët e tjerë pjesëmarrës në ambientet e jashtme të Pallatit të Kongreseve në Tiranë, duke përfshirë kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, kryetaren e Këshillit të Ministrave të Bosnjë dhe Hercegovinës, Borjana Krishto, presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, komisionerin e Bashkimit Evropian (BE) për Zgjerimin dhe Politikën e Fqinjësisë, Oliver Varhelyi, dhe përfaqësues të institucioneve dhe organizatave të ndryshme ndërkombëtare.
Sipas Kryeministrisë së Shqipërisë, është parashikuar që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, t’i drejtohet samitit me anë të një video-mesazhi.
Në fjalën e tij në hapje të samitit, Rama tha se sot mblidhen për të thelluar bashkëpunimin si kombe me mendësi të ngjashme që kërkojnë të bashkohen me bashkimin e shteteve evropiane. Ai tha se Shqipëria ka hyrë në një fazë të re në rrugëtimin e saj drejt anëtarësimit në BE.
“Po ndërmarrim intensivisht me një shpejtësi të re detyrat e nevojshme të shtëpisë që janë kaq të shumta, duke miratuar korpusin ligjor të BE-së, duke thelluar reformat në të gjitha drejtimet dhe duke rritur luftën tonë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në nivele të reja”, u shpreh Rama.
Kryeministri Rama theksoi se mbeten të vendosur për të nxitur përmirësimin e marrëdhënieve me të gjithë parterët rajonalë, sipas tij, duke nxitur paqen, dialogun dhe bashkëpunimin midis vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Varhelyi në fjalën e tij në hapje të samitit tha se procesi i integrimit do të thotë që ekonomitë dhe shoqëria e Ballkanit Perëndimor të integrohen në Bashkimin Evropian dhe, sipas tij, kjo do të thotë që edhe BE-ja duhet që të ofrojë të gjithë përfitimet që sjellë ky proces.
“Kemi besim të plotë tek të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor që do të mund të arrijnë të marrin përfitimet e këtij plani dhe të mirat që sjell ky plan, i cili ka mundësinë që të kontribuojë për të dyfishuar ekonomitë e vendeve të Ballkanit Perëndimor në 10 vitet e ardhshme. Që të ecim përpara na duhet që rajoni të ecë përpara vetë me shpejtësi dhe kjo do të thotë që të arrihen rezultate për ato reforma që në fakt e bëjnë këtë plan funksional”, tha Varhelyi.
Komisioneri Varhelyi theksoi se ky plan do të funksionojë nëse vendet aplikojnë rregullat e Bashkimit Evropian.
Samiti ofroi gjithashtu mundësi për shkëmbimin e pikëpamjeve mbi të ardhmen evropiane të rajonit dhe mbi sfidat e përbashkëta rajonale.
Sipas autoriteteve shqiptare, plani i BE-së për Ballkanin Perëndimor synon rritjen ekonomike të rajonit, përshpejtimin e reformave të duhura dhe kryerjen e investimeve, që mund të avancojnë procesin e zgjerimit të BE-së me këto vende.
Në përfundim të samitit njëditor, kryeministri Rama dhe komisioneri Varhelyi mbajtën një konferencë të përbashkët për mediat.
Oliver Varhelyi në konferencën e përbashkët u shpreh se rajoni në 10 vitet në vijim do të dyfishojë ekonominë e vet.
“Në rast se doni të trajtoheni si vend i BE atëherë duhet të trajtoni edhe vendet e rajonit si anëtar të BE-së. Për bizneset do të jetë më lirë për të futur produkte në Shqipëri, por në rast se po bëni biznes me vendet e tjera të BP kostot do të jenë më të ulëta. Mendoj se ajo që keni parë sot do të ndryshojë në mënyrë dramatike realitetin në vendet tuaja. Rajoni duhet të dyfishojë ekonominë e vetë gjatë 10 viteve.”, tha Varhelyi.