Të varfër dhe të lumtur: Shoqëritë që sfidojnë tendencat e kënaqësisë së jetës
Në një studim të kohëve të fundit, studiuesit pyetën 3000 njerëz që jetojnë në shoqëri të varfra dhe të vogla, për kënaqësinë që marrin nga jeta. Rezultatet zbuluan se e kanë të njëjtë me atë të njerëzve që jetojnë në vendet më të pasura. Një arsye e mundshme pse gëzimet e thjeshta si ndërveprimi shoqëror dhe jeta në natyrë luajnë një rol të jashtëzakonshëm në kënaqësinë që marrin nga jeta komunitetet e vogla, është se shumë prej këtyre shoqërive nuk fitojnë para me tepri
Melanezët që jetojnë në rajonet Roviana dhe Gizo të Ishujve Solomon janë një nga popujt më të varfër në botë. Ata kanë një mënyrë jetese, ku i plotësojnë nevojat e tyre me peshkim dhe bujqësi. Herë pas here, shesin mallrat e tyre në tregun lokal për të blerë ushqime të përpunuara ose për të paguar tarifat e shkollimit të fëmijëve. Lukset e jetës moderne – telefonat inteligjentë, interneti, TV, dyshekët “me kujtesë” – janë të vështira për t’u gjetur. Por pavarësisht kësaj ekzistence të thjeshtë nga pikëpamja materiale, melanezët shprehen se janë më të kënaqur nga jeta, sesa banorët e Finlandës dhe Danimarkës, të cilët zënë rregullisht titujt e mëdhenj të gazetave, si popujt më të lumtur në botë.
Një nga gjetjet më interesante në studimin e lumturisë është lidhja midis të ardhurave, pasurisë dhe kënaqësisë nga jeta. Sa më shumë para të ketë dikush, aq më i kënaqur priret që të jetë. Sa më i pasur një vend, aq më të lumtur qytetarët e tij. Por, siç po mësojnë sot shkencëtarët, disa popuj e sfidojnë këtë tendencë. Popujt – shpesh indigjenë – që jetojnë në komunitete të vogla dhe të izoluara priren të jenë po aq të kënaqur me jetën e tyre, sa njerëzit që jetojnë në vendet më të pasura. Zbulimi i arsyes mund të na volisë të gjithëve.
Pasuria dhe kënaqësia nga jeta
Pikërisht ky objektiv frymëzoi studimet e botuara në revistën shkencore, “Proceedings of the National Academy of Sciences”. Shkencëtarët nga Universitat Autònoma de Barcelona në Spanjë dhe Universiteti McGill në Kanada udhëtuan nëpër botë për të pyetur rreth 3000 pjesëtarë të 19 shoqërive të varfra dhe të vogla, me vendbanime në 18 vende të ndryshme. Ata vizituan Kumbungut në Gana, Laprakët në Nepal, Vavateninët në Madagaskar dhe Lonkuimajët në Kili, mes shumë të tjerëve. Udhëtimi shkencor u zhvillua në kuadër të një projekti më të madh, i fokusuar në ndryshimet klimatike, por studiuesit vlerësuan gjithashtu kënaqësinë e jetës së këtyre popujve të vegjël.
“Mesatarja e kënaqësisë nga jeta në mesin e 19 shoqërive të anketuara është 6.8 nga 10, edhe pse shumica e tyre kanë të ardhura vjetore prej më pak se 1000 dollarë amerikanë për person,” raportuan studiuesit. Vlerat kaq të larta të kënaqësisë nga jeta zakonisht shihen vetëm në vendet ku PBB për frymë tejkalon 40,000 dollarë në vit.
Atëherë, çfarë e shpjegon këtë kërcim drejt një niveli më të lartë lumturie? Antropologët perëndimorë që kanë vizituar komunitete të vogla, kanë zbuluar se në përgjithësi, këta njerëz marrin një kënaqësi të madhe nga aktivitete të thjeshta si dëgjimi i muzikës, shëtitjet ose thjesht relaksimi. Marrëdhëniet me miqtë dhe familjen, si dhe socializimi sjellin gjithashtu shumë gëzim. Anëtarët e komunitetit gjithashtu priren të vlerësojnë shumë kalimin e kohës në natyrë. Studime të shumta tregojnë se të qenit jashtë në habitate të paprekura nga zhvillimi përmirëson humorin, shëndetin dhe mirëqenien e përgjithshme.
Një arsye e vetëkuptueshme pse gëzimet e thjeshta, si ndërveprimet sociale dhe të jetuarit në natyrë uajnë një rol të jashtëzakonshëm në nxitjen e kënaqësisë nga jeta në komunitetet e vogla, është se shumë prej këtyre shoqërive nuk fitojnë shumë para. Në studimet e mëhershme, anëtarët e të njëjtit ekip të Barcelonës dhe McGill vizituan shoqëri të tjera të vogla dhe krahasuan mirëqenien e tyre kolektive. Ata zbuluan se në komunitetet ku paraja luante një rol më të madh, nxitësit e lumturisë ndryshonin: njerëzit kalonin nga shijimi i aktiviteteve në kontakt me natyrën, tek prioritizimi i faktorëve socialë dhe ekonomikë. Paratë sillnin lumturi, dhe jo kënaqësitë e thjeshta të jetës.
Konkluzioni, sipas zbatuesve të këtij studimi, është se kënaqësia nga jeta “nuk kërkon norma të larta të konsumit të gjërave materiale, të lidhura përgjithësisht me të ardhura e larta monetare”. Pasi plotësojmë nevojat themelore si njerëz – si strehimi, ushqimi dhe siguria – gëzimin mund ta gjejmë tek njerëzit dhe vendet përreth nesh.
/ Big Think – Bota.al