Shko në fillim

LiveRadio Kontakt
 Qeveria në Gaza: Izraeli goditi Gazën me 65 mijë tonë eksploziv

Qeveria në Gaza: Izraeli goditi Gazën me 65 mijë tonë eksploziv

Ushtria izraelite ka përdorur eksploziv (shpërthyes) që tejkalon 65 mijë tonë, përfshirë bomba të ndaluara ndërkombëtarisht në sulmet që vazhdon prej rreth 3 muajsh ndaj Rripit të Gazës.

Në një deklaratë me shkrim nga Zyra për media e qeverisë në Gaza thuhet se “Avionët luftarakë të shtetit pushtues (Izraelit) kanë lëshuar mbi 45 mijë raketa dhe bomba gjatë luftës gjithëpërfshirëse gjenocidale kundër Rripit të Gazës. Disa prej tyre peshonin një ton shpërthyes dhe shteti pushtues me këto ka bombarduar qëllimisht zonat e vendbanimeve”.

Më tej në deklaratë tërhiqet vëmendja se ka tejkaluar 65 mijë tonë pesha e shpërthyesve që ushtria izraelite ka përdorur në sulmet ndaj Gazës. “Pesha e shpërthyesve që ushtria pushtuese ka hedhur në Rripin e Gazës ka tejkaluar 65 mijë tonë. Kjo është më shumë se pesha dhe fuqia e tre bombave bërthamore si ato të hedhura në Hiroshima të Japonisë”, thuhet në deklaratë.

Afërsisht dy të tretat e bombave dhe raketave të hedhura nga avionë luftarakë izraelitë në qytetet e Rripit të Gazës përbëheshin nga bomba të pa udhëzuara dhe të gabueshme ose shpërthyes (eksplozivë) të njohur si “bomba memece”, thuhet në deklaratën ku nënvizohet se përdorimi i këtyre bombave është dëshmi se Izraeli ka vrarë pa dallim dhe në mënyrë të padrejtë dhe se kjo është shkelje e hapur dhe e qartë e ligjit ndërkombëtar dhe marrëveshjeve të ndryshme ndërkombëtare.

Pasi tërhiqet vëmendja se është dokumentuar që Izraeli ka përdorur rreth 9 lloje të bombave dhe raketave të ndaluara ndërkombëtarisht kundër civilëve, fëmijëve dhe grave, në deklaratë theksohet se këto janë llojet e depërtimit të objektivit (BLU-113), (BLU-109), (SDBS) dhe të tipit amerikan (GBU-28) si dhe për të shkatërruar infrastrukturën raketa të udhëzuara me GPS, me fosfor të bardhë dhe të pa udhëzuara, inteligjente dhe së fundmi raketa të llojit Halper.

Lidhur me përdorimin e bombave të ndaluara ndërkombëtarisht, në deklaratë bëhet e ditur se bombat në fjalë “krahas rreziqeve mjedisore që vijnë nga lëshimi i rrezatimit toksik, shkaktojnë dëme të përhershme si deformim dhe paaftësi tek të plagosurit si dhe viktima të shumta dhe plagosje brenda sekondave”.

Në deklaratë i bëhet thirrje komunitetit dhe organizatave ndërkombëtare që të “ndalojnë luftën gjithëpërfshirëse gjenocidale të Izraelit kundër civilëve, fëmijëve dhe grave gjatë sulmeve të tij që vazhdojnë prej 89 ditësh”.

– Pushtimi i Gazës nga Izraeli pas 7 tetorit 2023

Krahu i armatosur i Hamasit, Brigadat Izzeddin Kassam më 7 tetor 2023 nisi sulm gjithëpërfshirës ndaj Izraelit me arsyen e “kundërpërgjigjes ndaj shkeljeve të vazhdueshme ndaj palestinezëve dhe vlerave të shenjta të tyre kryesisht ndaj xhamisë Al-Aksa”.

Izraeli njoftoi se në sulmet më 7 tetor kanë humbur jetën 1.200 izraelitë dhe se janë plagosur 5.132 të tjerë.

Në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës janë vrarë 22.313 palestinezë, përfshirë të paktën 9.100 fëmijë dhe 6.500 gra. Ndërsa njoftohet se nën rrënoja ndodhen mijëra të vdekur dhe se po shkatërrohet infrastruktura civile duke shënjestruar institucionet arsimore dhe spitalet ku është strehuar popullata.

Ushtria izraelite ka njoftuar se që nga 7 tetori kur filloi sulmet e saj në Rripin e Gazës e deri më tani janë vrarë 509 ushtarë të saj, ku 175 prej tyre në procesin e pushtimit nga toka.

Në “pauzën humanitare” 4-ditore të arritur më 24 nëntor dhe që u zgjat edhe për 3 ditë u liruan në mënyrë reciproke 81 pengje izraelite ndërsa nga burgjet izraelite u liruan 240 palestinezë. Në anën tjetër Izraeli vazhdoi të arrestojë dhe burgosë mijëra palestinezë.

Në sulmet e forcave izraelite dhe kolonëve të paligjshëm hebrenj në Bregun Perëndimor dhe Kudsin nën pushtim, janë vrarë 323 palestinezë. Ndërkohë në konfliktin mes ushtrisë izraelite dhe Hezbollahut në vijën kufitare të Libanit që nga 8 tetori deri më tani, kanë humbur jetën 28 civilë libanezë, 142 anëtarë të Hezbollahut, 5 civilë izraelitë dhe 9 ushtarë izraelitë.

Saleh Al-Arouri, një nga zyrtarët e lartë të Hamasit u vra më 2 janar bashkë me 6 zyrtarë të lartë të Hamasit në një sulm të kryer me mjet ajror pa pilot (dron) në jug të Bejrutit.

 

 

/AA

Prev Post

Arrin në 22.313 numri i palestinezëve të vrarë nga Izraeli në Gaza

Next Post

Nazim Gruda ndër shkencëtarët më të suksesshëm të Europës

post-bars

Leave a Comment