Rritet në mbi 5 mijë numri i palestinezëve të vrarë nga sulmet e Izraelit në Gaza
Në sulmet e Izraelit që vazhdojnë që nga 7 tetori, numri i palestinezëve të vrarë ka arritur në 5.087, përfshirë 2.055 fëmijë, 1.119 gra dhe 217 të moshuar
Gaza
Me 387 të vrarë është rritur në 5.087 numri i të palestinezëve të vrarë dhe në 15.273 numri i të plagosurve në Rripin e Gazës së bllokuar të cilin Izraeli e bombardon prej 17 ditësh.
Zëdhënësi i Ministrisë palestineze të Shëndetësisë në Gaza, Ashraf Qudra bëri një deklaratë për media lidhur me numrin e jetëve të humbura dhe të plagosurve në rritje si pasojë e sulmeve të Izraelit në Gaza.
Në një deklaratë nga llogaria Telegram e ministrisë, thuhet se në sulmet e Izraelit që vazhdojnë që nga 7 tetori, numri i palestinezëve të vrarë ka arritur në 5.087, përfshirë 2.055 fëmijë, 1.119 gra dhe 217 të moshuar, ndërsa numri i të plagosurve ka arritur në 15.273.
– Ka shenja djegie të thella që nuk janë parë më herët
“Ekipet e shëndetësisë thanë se në trupat e të plagosurve kanë rastisur shenja djegie të thella dhe shkrirje që nuk janë parë më herët”, thuhet në deklaratën ku organizatave ndërkombëtare u bëhet thirrje të hetojnë se cila armë ka shkaktuar këtë efekt.
Po ashtu bëhet e ditur se nën rrënojat e ndërtesave të shkatërruara ndodhen ende 1.500 persona prej të cilëve 830 janë fëmijë.
Në deklaratë theksohet se në sulmet izraelite janë vrarë 57 punonjës shëndetësie dhe se janë plagosur 100 të tjerë, njoftohet se 12 spitale, 32 qendra shëndetësore dhe 25 ambulanca kanë mbetur jashtë shërbimit për shkak të sulmeve dhe mungesës së karburantit.
Më tej tërhiqet vëmendja se spitalet aktuale kanë humbur cilësinë e ofrimit të shërbimit dhe se ekipet e shëndetësisë vazhdojnë të trajtojnë të plagosurit me mundësi shumë të kufizuara.
– Konflikti Izrael-Palestinë
Krahu i armatosur i Hamasit, Brigadat Izzeddin Kassam, nisi sulm gjithëpërfshirës ndaj Izraelit në mëngjesin e 7 tetorit, të quajtur “Tufani i Aksa-së”.
Ndërsa mijëra raketa u hodhën nga Gaza drejt Izraelit, grupet e armatosura palestineze bastisën dhe morën nën kontroll portën kufitare Beit Hanun-Erez në kufirin Gaza-Izrael. Grupet e armatosura më pas hynë në vendbanimet brenda Izraelit dhe ushtria izraelite nisi sulme në Rripin e Gazës me dhjetëra avionë luftarakë.
Raportohet se mbi 1.400 izraelitë, përfshirë 308 ushtarë humbën jetën ndërsa 5.132 u plagosën në sulmet e kryera nga Gaza.
Thuhet se 90 palestinezë janë vratë në sulmet e forcave izraelite dhe kolonëve hebrenj në Bregun Perëndimor të pushtuar.
Në sulmet izraelite humbën jetën edhe 18 gazetarë.
Në përleshjet që nisën mes ushtrisë izraelite dhe Hezbollahut në kufirin me Libanin më 8 tetor, humbën jetën 26 anëtarë të Hezbollahut si dhe 4 civilë përfshirë 1 gazetar.
Në sulmet e kryera nga Libani kanë humbur jetën 3 ushtarë izraelitë dhe 1 civil izraelit./www.aa.com.tr