Ilustrim i Gjergj Kastrioti Skënderbeut në dorëshkrimin mesjetar “De Romanorum Magistratibus” nga Andrea Domeniko Fiocco (1465)
“De Romanorum Magistratibus” është një dorëshkrim mesjetar i vitit 1465 i shkruajtur në pergamenë, i cili përmban 34 fletë me përmasa 30.2 cm x 20.4 cm, e ka 32 rreshta për faqe (përveç faqes së parë e të fundit). Dorëshkrimi është i zbukuruar me dy miniatura të vogla, e dyta prej të cilave është një ilustrim fantastik i Skënderbeut.
Në faqen e fundit të kodikut, teksti është shkruar në 14 rrjeshta, në fund të tekstit lexohet dhe fjala “FINIS” (Fund), ndërsa në të djathtë, dorëshkrimi ka të shënuar datën 5 nëntor 1465 dhe në fund të tekstit, në një kurorë rrethore e zbukuruar me ornamente të bukura, është një portret fantastik i hershëm i Skënderbeut (kur ai ishte ende gjallë). Shkrimi është elegant, i stilit korsiv të periudhës Humaniste të kohës.
Piktori e prezanton Skënderbeun në profil djathtas (si prezantoheshin sundimtarët në atë kohë), hundëshkabë, me vështrim të përqëndruar, me mustaqet dhe mjekrën të thinjur të gjatë, me berretën ngjyrë skarlat, e ulur mbi sy, ndërsa poshtë nën berretë, shihet buza e kapuçit të bardhë. Gjergji mban veshur mantel ngjyrë të kuqe, me zbukurime floreale ngjyrë të artë, mes të cilëve shihen dhe zambakët mbretëror (Fleur de Lis).
Sfondi i miniaturës është ngjyrë blu. Portreti është i rrethuar me kurorë gjethe dafine. Pjesa anësore e miniaturës është e zbukuruar me një kornizë me vizatime lulesh shumëngjyrëshe me degëzime elegante dhe gjethe pjergulle ngjyrë të bardhë, të vendosura në sfond blu. Në brendësi të kornizës floreale (me lule), është vizatuar dhe ndonjë zambak i bardhë me tre petale.
Në sfondin blu të miniaturës, mund të dallohen dy shkronjat “E” dhe “V”, që janë inicialet “Epirota Victor” (Epiroti fitimtar), ose “Epirotarum Vicecomes” (Konti i Epirotëve), Epirotë-term mesjetar për arbërit në periudhën e Mesjetës dhe Renesancës.