Në Vjenë, të enjten hapet ekspozita “Rezistenca paqësore në Kosovë 1990 – 1998“
Fotografi me shkrime të ndryshme të gazetave, foto e dëshmi faktike gjatë historisë së rezistencës paqësore gjatë viteve të 90-ta, të drejtuar nga ish-presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, do të prezantohen para publikut në Austri përmes ekspozitës “Gewaltfreier Widerstand in Kosovo 1990-1998” (“Rezistenca paqësore në Kosovë 1990-1998”.
Ekspozita do të hapet ditën e enjte, (13.07.2023), nga ora 19:00, në Bezirkmuseum Neubau në Amerlinghaus, Stiftgasse 8, 1070, Wien.
Kurator i kësaj ekspozite është Shkumbin Brestovci, i cili këtë ekspozitë e ka realizuar duke u mbështetur në dëshmi faktike të asaj kohe.
Ekspozita në fjalë fillimisht është hapur në dhjetor të vitit 2020 në Muzeun e Pavarësisë “Dr. Ibrahim Rugova” në Prishtinë dhe ka qëndruar për kohë të gjatë e hapur për vizitorë.
Përveç autorit Shkumbin Brestovci, bashkorganizator për sjelljen e kësaj ekspozite në Vjenë janë edhe: Friedhelm Frischenschlager (ish-ministër i Mbrojtës në Austri), Robert Pichler, historian austriak, albanolog, Kati Schneeberger, këshilltare lokale e Bashkimit Evropian dhe drejtuese e shoqatës “Vienna goes Europa”, Kaltrina Durmishi, politologe, ekonomiste në Vjenë si dhe Arben Myftarj, dizajner, po ashtu banues në Vjenë.
Për albinfo.at, Kaltrina Durmishi tregon për idenë për të sjell këtë ekspozitë në Vjenë.
“Para një viti e gjysmë, Shkumbini më ka kontaktuar dhe ka shprehur dëshirën për të prezantuar këtë ekspozitë edhe para publikut në Austri. Vitin e kaluar bashkë më zotëri Fridhelm Frischenberger e kemi vizituar ekspozitën në Muzeun e Pavarësisë “Dr. Ibrahim Rugova” në Prishtinë. Nga aty kemi diskutuar për mundësitë dhe detajet tjera për të sjell këtë ekspozitë në Vjenë”, pohon ajo e lumtur që më në fund gjithë ky projekt po ec sipas parashikimeve.
“Përgatitjet po ecin shumë mirë. Tani mbetet vetëm të presim numër sa më të madh vizitorësh për të përcjellë këtë ekspozitë, e cila është shumë e veçantë dhe mjaft interesante”, thotë ajo.
Ekspozita do të jetë e hapur për publikun gjatë gjithë verës, deri në muajin shtator. / KultPlus.com