Euro bie në minimumin historik
Euro po vijon rënien në kursin e këmbimit dhe ka rënë për herë të dytë në historinë e vet poshtë kufirit të 113 lekëve. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, euro u këmbye të enjten me 112.96 lekë, niveli më i ulët për vitin 2023 dhe i dyti më i ulët historik.
Monedha Europiane po bie në rënie të lirë, duke u këmbyer këtë të enjte 113 lekë, me kursin e Bankës së Shqipërisë.
Rënia në këto nivele është parë në fund të vitit 2022, në sezonin e festave dhe në fillim të muajit mars, po ashtu. Agjentët e këmbimit valutor thonë se gjatë javëve të fundit blerjet e euros kanë qenë në nivele të ulëta. Nga ana tjetër, ata shprehen se prurjet e monedhës europiane ngelen relativisht të larta, nga individët.
Ndikim në favor të zhvlerësimit të euros dhe forcimit të lekut mund të ketë dhënë edhe bilanci tregtar i vendit. Sipas INSTAT, për muajin janar defiçiti tregtar u ul me 70% krahasuar me dhjetorin.
Edhe turizmi po bëhet një faktor me ndikim gjithnjë e më të rëndësishëm në bilancin e pagesave dhe si rrjedhojë edhe në kursin e këmbimit valutor.
Në të njëjtin trend janë edhe dollari e paundi britanik që po këmbëhen nën 104 dhe 130 lekë.
Zhvlerësimi i shpejtë i valutës së huaj, sidomos ai i Euros godet bizneset eksportuese dhe ato subjekte që marrin të ardhura në valutë dhe kryejnë shpenzime në lekë.
/euronews