Fundi i një epoke – Lamborghini do të bëhet hibrid
Pas një gjysmëshekulli makinash me motor V12 me benzinë, që prej modeleve të para të markës, prodhuesi italian i makinave sportive luksoze Lamborghini prezantoi supermakinën e parë me një portë rikarikimi.
Lamborghini Revuelto është një makinë hibride plug-in, e cila përveçse një motori V12 me benzinë, zotëron edhe tre motorë elektrikë.
Makina, çmimi i së cilës nuk u zbulua, do të ofrojë ndjesi drejtimi që variojnë nga zhurma e fortë dhe e ashpër deri te e qetë dhe e heshtur.
Menuja përfshin 13 modalitete drejtimi. Shtëpia automobilistike, e themeluar në Sant’Agata Bolognese në vitin 1963, nuk kënaqet me sukseset e mëparshme.
Gjithçka në këtë makinë është e re, duke përfshirë edhe motorin me gaz, i zhvilluar posaçërisht – deklaroi në njoftimin e saj, Lamborghini.
Edhe orientimi i motorit brenda makinës ndryshon. Në modelet e mëparshme, Lamborghini V12, duke nisur nga Countach, fuqia e motorit dërgohej në pjesën e përparme të makinave dhe transmisioni ndodhej midis dy sediljeve.
Prej aty, fuqia e motorit ridrejtohej përmes boshteve rrotulluese në rrotat e pasme ose, në shumë modele më të reja, në të katër rrotat.
Te modeli Lamborghini Revuelto, motori orientohet nga pjesa e pasme, për t’i lënë vend baterisë.
Ky sistemim i pazakontë zgjidh një enigmë: e lejon makinën, pavarësisht shtimit të baterive të rënda, të ruajë një shpërndarje ideale të peshës me 44% të peshës së makinës në rrotat e përparme dhe 56% në pjesën e pasme. Fuqia e motorit me benzinë, së bashku me fuqinë e një motori elektrik, shkon vetëm te rrotat e pasme të Revuelto përmes një tranzicioni me tetë shpejtësi.
Dy motorë të tjerë elektrikë fuqizojnë secilën nga rrotat e përparme të makinës. Dy motorët e pavarur të rrotave të përparme mundësojnë edhe “torque vectoring”, me sasi të ndryshme fuqie që dërgohen në secilën rrotë të përparme, sipas nevojës për kthesën dhe tërheqjen optimale.
Bateritë e Reveulto mund të rikarikohen me një prizë, si ato të një makine elektrike, duke siguruar njëfarë autonomie tërësisht elektrike.
Megjithatë, Lamborghini nuk e specifikoi se sa kohë mund të lëvizte makina vetëm me bateri. Kur bateritë të mos kenë më energji të mjaftueshme për të drejtuar makinën në modalitet tërësisht elektrik, ajo do të funksionojë si një hibrid standard, duke kaluar midis energjisë elektrike dhe benzinës – ose një kombinim të të dyjave – sipas nevojës.
Bateritë gjithashtu mund të rikarikohen gjatë frenimit, ose duke marrë ndonjëherë energji nga motori i benzinës.
Për të kursyer peshë, trupi i makinës do të realizohet në pjesën më të madhe nga fibra karboni, kurse strukturat e pasme janë bërë nga lidhje alumini. Motori i ri V12 është gjithashtu pak më i lehtë krahasuar me motorin në supermakinën Aventador që po zëvendëson.
/ CNN /monitor.al