Shqipëria dhe Kosova në mision solidariteti në ndihmë të operacioneve të kërkim-shpëtimit në Turqi
Një mision ndihme nga Forcat e Armatosura të Shqipërisë dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, në përbërje të të cilit janë në total 53 personel mjekësor, specialistë të kërkim-shpëtimit, si dhe shtatë mjete, janë nisur drejt Turqisë dhe trupat e FSK-së në operacion ndërkombëtar humanitar për t’i mbështetur përpjekjet e autoriteteve turke për tejkalimin e pasojave tragjike
Shqipëria është solidarizuar me Türkiyen pas tërmetit shkatërrimtar duke dërguar një mision solidariteti në ndihmë të operacioneve të kërkim-shpëtimit.
Në njoftimin nga Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë thuhet se një mision ndihme nga Forcat e Armatosura të Shqipërisë dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, në përbërje të të cilit janë në total 53 personel mjekësor, specialistë të kërkim-shpëtimit, si dhe shtatë mjete, janë nisur drejt Türkiyes ku do të marrin pjesë në operacionet e kërkim-shpëtimit për të “lehtësuar sadopak pasojat e kësaj tragjedie”.
“Pjesëtarët e ekipit që do të marrin pjesë në këtë mision solidariteti u përcollën në një ceremoni të veçantë, ku mori pjesë edhe ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi. Teksa shprehu mirënjohjen edhe në emër të Kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë shqiptare për të gjithë personelin që do të angazhohet në këtë operacion, Peleshi tha se ky është një kontribut që i kthehet Türkiye-s, e cila e ka ndihmuar Shqipërinë vazhdimisht edhe gjatë tërmetit të 26 nëntorit 2019”, thuhet në njoftim.
Ministri Peleshi është shprehur se Turqi është një vend mik shumë i rëndësishëm “për ne, që na ka mbështetur vazhdimisht”.
“Kështu që në një farë mënyre ky është kthim i kontributit. Por, edhe nëse një fatkeqësi do t’i ndodhë një vendi tjetër, Shqipëria jonë e vogël do të tregojë se është gjithmonë e gatshme që kapacitetet e veta t’i verë në dispozicion, sepse në emergjencë apo solidaritet ne jemi tashmë pjesë edhe e Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile, ku nuk jemi vetëm për të marrë, por edhe për të dhënë. Unë ju falënderoj shumë për kontributin që do të jepni aty. Mirënjohje edhe në emër të qeverisë shqiptare, Kryeministrit dhe të ktheheni shëndoshë”, u shpreh ministri Peleshi në ceremoninë e përcjelljes së ekipit shqiptar në Türkiye.
Nga ana tjetër, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe Qeveria e Kosovës kanë autorizuar dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) për ndihmë Republikës së Turqisë në tejkalimin e pasojave të tërmeteve të sotme, transmeton Anadolu.
Siç njofton Presidenca e Kosovës, Osmani këtë vendim e ka marrë në cilësinë e komandantes supreme të FSK-së.
“Në pajtim me kompetencat e saj kushtetuese, ka nënshkruar autorizimin për dërgimin e trupave të FSK-së në operacion ndërkombëtar humanitar në Republikën e Türkiye-s për t’i mbështetur përpjekjet e autoriteteve turke për tejkalimin e pasojave tragjike të tërmeteve të sotme”, njofton Presidenca.
Presidentja Osmani ka shprehur solidaritet të plotë me popullin turk dhe ka deklaruar se Republika e Kosovës do të vazhdojë të ofrojë mbështetjen e nevojshme.
Ndërkaq, Qeveria e Republikës së Kosovës përmes një mbledhje elektronike e ka miratuar vendimin për dërgimin e Kontingjentit të FSK-së, sipas kërkesës së Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Turqisë, për ndihmë humanitare në rajonet e prekura nga tërmetet.
“Republika dhe populli i Kosovës i qëndrojnë pranë Türkiye-s dhe popullit të saj në këto kohë të vështira”, shkruan në komunikatën e Qeverisë.
/AA