Protesta nga më shumë se 80 mijë izraelitë kundër qeverisë së Netanyahut
Më shumë se 80.000 njerëz dolën në rrugë të shtunën për të protestuar kundër qeverisë së kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu në lidhje me reformat e propozuara në drejtësi.
Turmat u mblodhën në sheshin Habima në qendër të Tel Avivit, i cili ka qenë skenë e demonstratave antiqeveritare për dy të shtuna rresht.
Midis demonstruesve ishin disa politikanë të opozitës, duke përfshirë ish-ministrin e mbrojtjes Benny Gantz.
Izraelitët në Kudsin Perëndimor dhe Haifa gjithashtu iu bashkuan demonstratave këtë javë, megjithëse në numër më të vogël.
Mijëra protestues u mblodhën përpara rezidencës presidenciale izraelite në Kudsin Perëndimor dhe rezidencës zyrtare të Netanyahut.
Protesta e parë masive kundër qeverisë së ekstremit të djathtë që mori detyrën në fillim të këtij viti u mbajt në Tel Aviv të shtunën e kaluar me afro 10.000 demonstrues.
Michael, 24 vjeç, i cili nuk donte të zbulonte mbiemrin e tij, ishte në mesin e atyre që morën pjesë në Kudsin Perëndimor. Ai tha për AA se qeveria “po përpiqet të shkatërrojë autoritetin e Gjykatës së Lartë” me rregulloren e re gjyqësore.
Ai e cilësoi reformën që qeveria po përpiqet të kalojë si “plotësisht absurde”. Ai shtoi se demokracia ka nevojë për “gjyqtarë dhe anëtarë të Gjykatës së Lartë që do të mbrojnë të drejtat e të gjithëve”.
Një tjetër protestuese, Sharon, 25 vjeçe, tha se gjyqësori i lartë nuk duhet të jetë “në duart e qeverisë së koalicionit dhe duhet të mbetet i paanshëm”.
Gjyqësori, tha Sharon, nuk duhet të përbëhet nga njerëz me “paragjykime”.
Ajo e përshkroi qeverinë Netanyahu si një “qeveri të errët”.
Ndryshimet e propozuara do të kufizojnë ashpër fuqinë e Gjykatës së Lartë të Drejtësisë, do t’i japin qeverisë fuqinë për të zgjedhur gjyqtarët dhe do t’i japin fund emërimit të këshilltarëve ligjorë në ministri nga Prokurori i Përgjithshëm. /AA