Forca e Sigurisë së Kosovës zë vendin e dytë në garën ndërkombëtare ushtarake
FSK ka fituar medaljen e argjendtë në mesin e 107 ekipeve të ushtrive ndërkombëtare
Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka arritur të marrë medaljen e argjendtë në njërën prej garave ushtarake më prestigjioze në botë “Cambrian Patrol ‘22” që u zhvillua në Britaninë e Madhe.
Sipas njoftimit nga Ministria e Mbrojtjes e Kosovës, FSK “çdo ditë e më shumë po tregon nivel të lartë të përgatitjes profesionale përmes sukseseve që po arrin në gara të ndryshme ndërkombëtare”.
Ministria njofton se në këtë garë pjesëtarët e FSK-së treguan performancë të jashtëzakonshme gjatë stërvitjes 48 orësh në Malet e Zeza (Black Mountains) të Uellsit, së bashku me 80 ekipe britanike dhe 27 ekipe të shteteve tjera ndërkombëtare.
“Performanca e FSK-së është vlerësuar lartë edhe nga këshilltari i Mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar, nënkolonel John Hunter, si demonstrim i qartë i përkushtimit dhe standardeve të larta që FSK ka përmbushur”, thuhet në njoftimin e ministrisë.
Ushtrimi “Cambrian Patrol” është një stërvitje vjetore ushtarake ndërkombëtare ku kryhen lloje të ndryshme manovrash dhe patrullash ushtarake të vendosura nëpër Malet e Zeza dhe tokat kënetore të Uellsit.
/AA