Fadil Kujovska, aktori që i dha buzëqeshje skenës dhe ekranit
Askush nuk e harron dot personazhin “Cuk” te filmi “Dy herë mat”, një punonjës i thjeshtë, i mirë dhe buzagaz që nuk ia prishte shefit të tij Aleko Prodani, titullar në Sarandë, ku zhvilloheshin ngjarjet e filmit. Ky personazh i luajtur mjeshtërisht nga aktori Fadil Kujovska, ka lënë gjurmë në memorien e popullit shqiptar.
Në kuadër të muajit të Tetarit, ministrja e Kulturës Elva Maragriti sjell në kujtesë aktorin e njohur të skenës shqiptare, Fadil Kujovska që i dha buzëqeshje skenës dhe ekranit.
Fadil Kujovska ka lindur më 14 shkurt të vitit 1951 në Tiranë. Kreu studimet e larta për aktrim në Institutin e Lartë të Arteve dhe më 1974 filloi punë në Televizionin Shqiptar. Më pas, më 1975, interpretoi në Teatrin e Gjirokastrës, ndërsa nga viti 1978 ishte aktor në Teatrin Kombëtar. Spikati si aktor i planit komik e satirik. Kujovska u dallua veçanërisht për karakterizimin e figurave që vinin nga shtresat e ulëta shoqërore apo rangjet administrative.
I dalluar për portretizimin gati në perfeksion të karaktereve në skenë, aktori ka një galeri të pasur rolesh. Ai solli vlerat më të mira në skenën teatrore dhe në kinematografinë shqiptare, nuk mungoi dhe në dramën “Ëndrra e Ismail Qemalit”.
As “Shokun Shu”, një kinez që kishte ardhur në Shqipëri për të ndihmuar vendin aleat. As “Shvejkun”, as “Hoxhë Qitapin”, as “Sër Tobin”, as “Doktor Adhamudhin” dhe as shumë figura të tjera.
Më 1978 krijoi shëmbëllimin e figurës së njohur të Shvejkut në komedinë e Gjikë Kurtiqit “Miq të paftuar”, nxitur nga romani i mirënjohur i Hashekut “Ushtari i mirë Shvejk”. Plastika, gjestet dhe mimika, të përpunuara me shije, krijuan gjasa që ky rol të vetëshprehej si duhej në epërsitë e mundshme të të dhënave natyrore të aktorit.
Po në 1978 interpretoi rolin e Hoxhë Qitapit në dramën “Besa e Madhe” të M. Markajt. Një vit më pas luajti me vërtetësi rolin e kinezit Shun në dramën “Furrnalta” të R. Pulahës, me të cilin spikati për shfrytëzimin me mprehtësi të dyplanësive, për plastikën shprehëse, qëndrimin tallës dhe sensin humoristik.
Më 1982 i dha jetë njërit prej roleve të tij më të goditur, atij të Ser Tobit në komedinë “Nata e dymbëdhjetë” e Shekspirit, duke mishëruar tipin e fisnikut pijanec, ithtar epikurian, rrëmujaxhi, që i gëzohet jetës dhe qejfit me tepri, sikundër qesh e shpotit hidhtas “viktimat” e rangjeve të tij.
Me interpretimin e doktor Adhamudhit në komedinë “Pas Vdekjes” të A. Z. Cajupit (1984) ai arriti të krijojë plot bukuri skenike tipin e pseudointelektualit dhe pseudopatriotit shqiptar, duke shfrytëzuar me zgjuarsi elementet tjetëruese dhe kundërshtitë komike, plastikën shprehëse, një të folur prej megalomania që e diskreditonte paq krenarinë e tij “pseudo”-je. Origjinal dhe i veçantë ka qenë edhe në interpretimin e rolit të Poçarit në dramën “Monsetrati” të Roblesë (1985), atë të prefektit Vehip në komedinë “Karnavalet e Korçës” të S. Comores nga Teatri Kombëtar (2003).
Interpretimi i tij më i fundit në Teatër do të jetë gjatë sezonit teatral 2008-2009 në kryeveprën e dramaturgut italian, Eduardo de Filipo “Filumena Maturano” në rolin e avokat Nocelës.
Në kinematografi roli i tij i parë do të jetë kur ai ishte vetëm 19 vjeç ,në vitin 1970, kur ai do të interpretojë rolin e Kujtimit në filmin “Gjurma”. Roli më i fundit i aktorit Fadil Kujofsa do të jetë në telekomedinë televizive “Trapi i vjetër” në vitin 2005.
Fadil Kujovska ndërroi jetë më 30 tetor 2014./atsh/ KultPlus.com