Pezullohet restaurimi i shtëpisë së Xhafer Devës në Mitrovicë
Bashkimi Evropian dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim pezulluan projektin për restaurimin e shtëpisë së Xhafer Devës në Mitrovicë, figurë kjo e lidhur me nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Vendimi pasoi reagime të ashpra pro dhe kundër në opinionin publik, e veçanërisht kritikat e Ambasadës gjermane në Prishtinë si dhe raportueses për Kosovën në Parlamentin evropian, Viola von Cramon.
“UNDP dhe Bashkimi Evropian shprehin keqardhje për çdo ofendim të paqëllimshëm të shkaktuar me rastin e njoftimit për fillimin e punimeve duke lënë jashtë sfondin historik të Xhafer Devës. UNDP dhe Bashkimi Evropian dënon fuqishëm antisemitizmin, ksenofobinë si dhe manifestimet e shumta të tij, duke përfshirë rritjen e intolerancës dhe urrejtjen ndaj pakicave etnike dhe komuniteteve të cënueshme”.
Në vitin 1944, Xhafer Deva u emërua ministër i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Shqipërisë, e cila u formua me mbështetje të nazistëve. Shtëpia e tij është ndërtuar në vitin 1930 nga arkitektë dhe punëtorë austriakë.
Sipas Ministrisë kosovare të Kulturës Rinisë dhe Sportit, objekti ka stil modern perëndimor-evropian dhe është i pari i këtij lloji në Mitrovicë. Ndërtesa është në listën e përkohshme të monumenteve të mbrojtura të trashëgimisë kulturore në Kosovë.
Ministri i Kulturës, Hajrullah Ceku, duke e mbrojtur idenë e restaurimit të objektit shprehet se “Restaurimi i monumenteve bëhet për t’i shërbyer komunitetit, jo për revizionizëm historik apo rehabilitim figurash”./vizionplus.tv