Osmani nga Idlibi përdor si sobë për t’u ngrohur gëzhojën e raketës që i shembi shtëpinë
Shtëpia e 35-vjeçarit Osman që jeton në zonën Al Bashiriyah në perëndim të Idlibit, u bë e papërdorshme si pasojë e një sulmi të ndërmarrë 1 vit më parë.
Gëzhojën që ka mbetur nga raketa që i shkatërroi shtëpinë, Osman e ka shndërruar në një sobë për t’u ngrohur në shtëpinë e re që ka marrë me qira.
Krahët e raketës janë bërë këmbë për sobën ndërsa pjesa e mesme me mjeshtërinë e farkëtarit janë bërë vend për drutë dhe qymyrin.
Osman, babai i 3 fëmijëve, në një deklaratë për Anadolu Agency (AA) tha: “Pas një periudhe nga sulmi i regjimit të Asadit gëzhojën boshe e përdora fillimisht si zbukurim për lule dhe e vendosa në një cep të shtëpisë. Në muajt e dimrit vendosa që gëzhojën ta shndërroj në sobë”.
Ai thotë se ngrohet me mbetjet e raketës që i shembi shtëpinë. “Soba bën një punë të dobishme në muajt e ftohtë të dimrit. Kishim dëshirë që ta përdornim në shtëpi si një kujtim raketën që i ka shkaktuar dhimbje familjes time”, tha Osman.
Më tej, Osman shpjegoi se kanë bërë një sobë që vihet në funksion lehtë. “Soba ndizet në mënyrë të fuqishme. Mund ta ngremë dhe ta ulim nxehtësinë e saj”, shtoi ai.
Situata në Idlib
Turqia, Rusia dhe Irani, në takimin e zhvilluar në vitin 2017 në Astana vendosën formimin e 4 “zonave të deeskalimit” në territorin që nuk ndodhej nën kontrollin e regjimit të Asadit.
Forcat e regjimit dhe terroristët me mbështetje iraniane dhe Rusia vazhduan sulmet dhe morën nën kontroll 3 zonat e tjera të mbetura nga 4 rajonet dhe u drejtuan drejt Idlibit. Edhe pse Turqia dhe Rusia më 17 shtator 2018 në Soçi arritën marrëveshje shtesë për të forcuar armëpushimin, sulmet u intensifikuan sërish në maj 2019. Armëpushimi respektohet në masë të madhe pas marrëveshjes së re që Turqia siguroi më Rusinë më 5 mars 2020.
Në periudhën 2017-2020, rreth 2 milionë civilë për t’u larguar nga sulmet u detyruan të migrojnë në zonat pranë kufirit me Turqinë.