Zyrtarizohet largimi i ambasadorit të BE Sequi

Zyrtarizohet largimi i diplomatit italian Ettore Sequi nga zyra e delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë. Ambasadori Sequi do të largohet nga Delegacioni i BE për të marrë nje pozicion kyç në Ministrinë e Jashtme italiane, atë të shefit të kabinetit të kësaj ministrie. Zëdhënësja e Përfaqësueses së Lartë Ashton shpreh falenderimet e Përfaqësueses së Lartë Ashton dhe Komisionerit Fyle për Ambasadorin Sequi për kontributin e tij në afrimin e Shqipërisë me BE-në. “Ambasadori Ettore Sequi do të largohet së shpejti nga Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri për të marrë nje pozicion kyç në Ministrinë italiane të Punëve të Jashtme. Përfaqësuesja e Lartë Catherine Ashton dhe Komisioneri Stefan Fyle e falenderojnë z. Sequi për punën e tij të shkëlqyer dhe i urojnë suksese në detyrën e tij të re” thuhet në deklaratën për shtyp nga zyra e delegacionit të BE-së në Tiranë. Ambasadori Sequi, një diplomat italian që ka shërbyer, ndër të tjera, në Kombet e Bashkuara në Nju Jork dhe si Përfaqësues i Posaçëm i BE-së në Afganistan, ka dhënë një kontribut domethënës në afrimin e Shqipërisë me BE-në. Ettore Sequi ka mbajtur postin e kreut të delegacionit të BE-së në Tiranë që prej janarit të 2011-ës ndërsa  në 2004 ka mbajtur postin e zëvendësshefit të misionit diplomatik italian në Tiranë.

Share Button