Zyrtarizimi i shqipes, nis diskutimi në Maqedoni

Vetëm një muaj pas miratimit në Qeveri, ligji për përdorimin e gjuhëve në Maqedoni, pritet të nisë diskutimet e tij në Parlament.

Ashtu siç bëri të ditur në atë kohë edhe Zv.Kryeministri Hazbi Lika, ligji do të shkonte me procedurë të përshpejtuar për diskutim në Parlament.

Top Channel ka siguruar njoftimin e mbledhjes së Komisionit të Çështjeve Europiane, i cili u drejtohet deputetëve për mbledhjen që është parashikuar të zhvillohet më datë 5 shtator, ora 10:00 dhe ku pikë e vetme e rendit të ditës është diskutimi i propozim-ligjit për përdorimin e gjuhëve.

Por, ky projekt-ligj, i cili parashikon se veç gjuhës maqedonase, gjuhë zyrtare është dhe shqipja dhe alfabeti i saj, do të kalojë për diskutime edhe në komisione të tjera Parlamemtare përpara se të votohet.

Ashtu siç njoftoi Kryeministri Zoran Zaev nga Durrësi, pas miratimit në Parlament, ligji do të shkojë për mendim dhe në Komisionin e Venecias, edhe lidhur me dy pikat që nuk janë përfshirë në këtë projekt-ligj, ai për përdorimin e gjuhës dhe alfabetit shqip në uniformat e ushtrisë dhe në kartmonedhat në Maqedoni.

Share Button