Zjarret në Kaliforni, 3.3 miliardë dollarë dëme materiale

Zjarret në Kaliforni të SHBA-ve, ku humbën jetën 43 persona, kanë shkaktuar dëme materiale në vlerë prej 3.3 miliardë dollarë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Përfaqësuesi i sigurimit të provincës, Dave Jones, tha se dëmet materiale të shkaktuara nga zjarri i përhapur më 8 tetor janë në vlerë prej 3.3 miliardë dollarë. Ai bëri të ditur se dëmet materiale janë konstatuar sipas aplikimeve të bëra në 15 kompani të sigurimit në Kaliforni.

Sipas tij vlera e dëmeve materiale mund të rritet edhe më shumë, meqë po vazhdojnë aplikimet në kompanitë e sigurimit. Duke njoftuar se në zjarre janë djegur plotësisht 4 mijë e 700 shtëpi dhe se në më shumë se 10 mijë të tjera ka dëme të ndryshme, Jones tha se në këto shifra nuk përfshihen pronat të cilat nuk janë nën sigurim.

Zjarret në Kaliforni janë marrë nën kontroll, por në disa rajone ende po vazhdojnë zjarret e vogla. Më shumë se 100 mijë persona ishin detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre për shkak të zjarreve.

Share Button