Zjarre në Shqipëri gjatë orëve të fundit

Në 24 orët e fundit në të gjithë Shqipërinë, janë shënuar 15 vatra zjarri, kryesisht në qarqet, Tiranë, Vlorë, Korçë, Durrës, Lezhë, Elbasan dhe Dibër, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një njoftim zyrtar publikuar sot nga Ministria e Brendshme e Shqipërisë, thuhet se në operacionet për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 125 zjarrfikës, 21 automjete zjarrfikëse, 160 persona nga Forcat e Armatosura të Shqipërisë dhe mbi 60 punonjës vullnetarë.
Zjarret më shumë kanë rënë në sipërfaqe pyjore, ndërsa autoritetet nuk kanë raportuar për dëme në njerëz.

“Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë shënuar 15 vatra zjarri në qarqet kryesore të vendit. Për shuarjen e vatrave të rrezikshme të zjarrit kanë ardhur në ndihmë edhe dy avionë të vegjël nga shteti grek, të cilët kanë ndihmuar për vënien nën kontroll të zjarreve në Llogara. Specialistët e emergjencave civile, janë duke mbajtur situatën në monitorim të vazhdueshëm në të gjithë vendin”, thuhet në njoftimin për shtyp të Ministrisë së Brendshme.
Sipas Ministrisë së Brendshme, rreziku i zjarreve për shkak të temperaturave të larta është ende evident, ku temperaturat maksimale arrijnë në 37 gradë celsius.

Share Button