Zhvillohet provimi shtetëror i “Maturës 2017” në Kosovë

Ministri në largim i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë i Republikës së Kosovës, Arsim Bajrami, vizitoi nxënësit të cilët i janë nënshtruar Provimit Shtetëror të Maturës 2017 (afati i qershorit, pjesa e parë) në shkollën “Eqrem Çabej” në Prishtinë, raporton Anadolu Agency (AA).

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) e Republikës së Kosovës, organizon “Provimin e Maturës 2017”, për rreth 30 mijë maturantë sa ka këtë vit Kosova. Provimi mbahet në 200 qendra testimi (shkolla) në gjithë vendin, ndërsa për mbarëvajtjen e këtij procesi janë të angazhuar rreth 2100 administrues dhe rreth 600 komisionerë.

Ministri Bajrami duke iu uruar sukses të gjithë maturantëve në fazën e provimit të maturës theksoi se MASHT ka ndërmarrë të gjitha masat që matura të shkoj mirë dhe që asnjë maturant të mos mbetet pa u përfshirë në arsimin e lartë, qoftë në sektorin publik qoftë në sektorin privat.

Ndërsa duke folur për mundësinë e keqpërdorimit të provimit të maturës Bajrami u shpreh se mund të ketë individ që do të mundohen ta keqpërdorin internetin dhe mundësitë që ofron teknologjia informative, por sipas tij nuk duhet të krijohet një paragjykim gjithëpërfshirës kundër nxënësve.

“Nga vëzhgimi që bëmë sot në këtë shkollë pamë që nxënësit refuzojnë keqbërësit, refuzojnë përdorimin e rrjeteve sociale sepse është interes i familjeve dhe i nxënësve që të ketë një vlerësim real dhe ky vlerësim që të mundësoj që të ketë një gjendje reale në arsim”, tha Bajrami.

Bajrami duke theksuar se MASHT ka mobilizuar të gjitha kapacitetet e veta dhe kapacitetet e drejtorive komunale për arsim që ta mbikëqyrin këtë proces, tha se secili mbikëqyrës ka kontratën dhe me përfundimin e provimit të maturës ata do të dalin edhe me vlerësime sa i përket ecurisë së këtij procesi.

Ndërsa, drejtoresha për Arsim në Komunën e Prishtinës, Arbërie Nagavci theksoi se sot është një moment shumë i rëndësishëm për të gjithë maturantët gjithandej Kosovës, duke vlerësuar se katër vitet e fundit ka përmirësime në rezultatet e provimit.

“Në komunën e Prishtinës sot iu kanë nënshtruar provimit të maturës 3870 maturantë. Si komunë ne kemi marrë të gjitha masat që gjithçka të ndodhë sipas planifikimit dhe të ketë proces që shkon në mënyrë të rregullt, që të kemi rezultate më të besueshme”, tha Nagavci.

Share Button